Tre të akuzuarit për mashtrim me viza, deputeti i Nisma në Kuvendin e Kosovës, Milaim Zeka, Ilir Krasniqi dhe Edmond Kërliu deklarohen të pafajshëm.
Tre të akuzuarit, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë pohuan se ndjehen të pafajshëm për secilën pikë të aktakuzës.
Aktakuza e përfaqësuar nga Prokurori i Prokurorisë Speciale, Atdhe Dema, u konsiderua e lexuar, pasi
të akuzuarit dhe mbrojtësit e të akuzuarve deklaruan se heqin dorë nga leximi i aktakuzës, dhe kërkuan që aktakuza të konsiderohet e lexuar.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës në fund të muajit gusht të këtij viti ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurve Milaim Zeka, Ilir Krasniqit dhe Edmond Kërliur për mashtrim, shmangie nga tatimi dhe pastrim i parave.
Prokuroria Speciale akuzon të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zekën dhe Edmond Kërliun për veprën penale “mashtrimi” nga neni 335 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, për veprën penale “shmangia nga tatimi” nga neni 313 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe neni 31 të KPRK-së, si dhe për veprën penale “pastrimi i parave” nga neni 308 të KPRK-së, dhe neni 56 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 e 1.2 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit nr. 05/L-096.
Sipas aktakuzës së kësaj prokurorie Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin, si agjencion punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.
Të pandehurit si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 335 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /Zeri/