Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se është i interesuar për arritjen e marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, por pa çmimin e territorit dhe Zajednicës. Ndërsa duke folur për mundësinë e rënies së Qeverisë, ai ka thënë se me rëndësi është që Kosova të mbetet në këmbë, raporton Informatat.com.
“Është me rëndësi që Kosova me mbet në këmbë. Nuk është me rëndësi kush rrëzohet e qohet. Unë jam i interesuar për tu arritur një marrëveshje finale me Serbinë, për njohje reciproke, obligative ligjore. Kuptohet pa çmimin e territorit dhe Zajednicës. Jam i interesuar, nuk jam kundër dialogut. Jam për dialog. Jam për marrëveshje, por s’mund të kthehemi para 17 shkurtit”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa ka folur dhe për takimet që kanë ndodhur së fundi mes liderëve, Haradinaj theksoi se është diskutuar për sfidat, pasi që vendi sipas tij ka vështirësi të mëdha. Haradinaj tha se u kërkohet që t’i ipet shans dialogut nga të gjithë dhe nga ambasadori amerikan, por pohon se nuk mund ta kuptoj se përse dialogu është ndërlidhur me një vendim sovran të një vendi, siç është taksa ndaj produkteve serbe.
“Biseda ka qenë për të gjitha sfidat që na presin. Nuk jemi pa sfida. Kemi vështirësi të mëdha. Është krijuar një bindje që taksa është pengesë për dialogut. Ekziston kjo bindje. Na kërkohet që me i dhënë shansin dialogut. Na kërkohet dhe prej ambasadorit amerikan. Na kërkohet prej të gjithëve, që me i dhënë shans dialogut. I dëgjojmë me kujdes këto mendime. Dëshira jem është me pa dialogun tu vazhdu. Por e them edhe njëherë, nuk e kuptoj pse ndërlidhet vazhdimi i dialogut, me një temë që është e Kosovës në këtë rast. Tavolina e hjek taksen. Nuk e kuptoj pse dialogu është ndërlidh me taksën. Ky është vendim sovran i një vendi”, ka pohuar haradinaj.
Ndërsa ishte fare i shkurtë, kur u përgjigj rreth asaj se a është koalicioni qeverisë stabil.
” Aq sa është”, ishte përgjigjja e shkurtër e tij.
Ndërsa tha se ka respekt për Amerikën të cilën e konsideron si familje të tij, edhe kur nuk ndajnë mendime të njëjta.
“Unë kam respekt për ambasadorin amerikan dhe Amerikën. Amerika është familja ime dhe kur nuk ndaj mendimin e njëjtë, e përjetoj si familje”, tha ai. /Informatat.com./