Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka organizuar një pritje për pjesëtarët e diasporës nga komuniteti egjiptian i Kosovës, në kuadër të manifestimeve “Ditët e diasporës në Kosovë 2018”.

Haradinaj gjatë këtij takimi ka thënë se përkushtimi dhe angazhimi i Qeverisë së Kosovës për të siguruar ambient të qetë, zhvillues dhe prosperues, për të gjithë qytetarët e saj, do të jetë i vazhdueshëm, raporton Informatat.com
“Edhe diasporën tonë, kudo që ndodhet, e ndiejmë pjesë tonën dhe do të punojmë që dija dhe kapitali i saj të jetë në shërbim të vendit dhe atdheut tuaj”, thuhet në komunikatën për media.
Ai iu bëri thirrje pjesëtarëve të këtij komuniteti të angazhohen në përcjelljen e imazhit të mirë për vendin, por edhe për sjelljen e praktikave të mira zhvillimore në vend.
“Qeveria do të jetë në dispozicionin tuaj, në funksion të avancimit të mirëqenies së të gjithë qytetarëve të saj, por edhe në realizimin e të gjitha të drejtave qytetare, njerëzore dhe kombëtare për shtetasit e Republikës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj.
Pjesëtaret e diasporës së komunitetit egjiptian janë shprehur të kënaqur me angazhimin e kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës në raport me komunitetin egjiptian. Ata kanë shprehur një falënderim të veçantë për faktin se është hera e parë për një pritje dhe diskutimit të çështjeve të tyre në nivel të lartë shtetëror të Republikës së Kosovës.
Pjesë e kësaj ceremoni ishte edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e këtij komuniteti Veton Berisha, Ministri i Financave, Bedri Hamza dhe përfaqësues të tjerë institucional./Informatat.com/