Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo, pritet që të dorëhiqet gjatë javës që vjen, në mënyrë që të plotësohet kushti i Partisë Socialdemokrate (PSD) për votimin e buxhetit 2019 në seancën e 31 janarit të këtij viti.
Njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri, ka thënë që kërkesa e PSD-së për shkarkim të ministrit të Bujqësisë, Rikallo, është e pamundshme për shkak që Haradinaj nuk mund ta menaxhojë një situatë të tillë.
“PSD-ja i ka bërë disa kërkesa që janë vështirë të realizueshme, sepse një kryeministër nuk mundet të realizojë kërkesa në mënyrë definitive vetëm pse PSD-ja po e kërkon shkarkimin e ministrit Rikallo. Ai meriton të shkarkohet për shkak të raporteve që janë krijuar mes koalicionit PAN dhe Listës Serbe, mirëpo vendet janë të rezervuara për komunitetin serb dhe nëse nuk është Rikallo, është dikush tjetër, por propozimet i bën partia e jo Qeveria”, ka thënë Tahiri për “Zërin”.
Tahiri ka vlerësuar se nëse as PSD-ja nuk e përkrah buxhetin për vitin 2019, atëherë pikërisht kjo ka mundësi ta rrëzojë qeverinë “Haradinaj”. “Gjasat janë shumë të mëdha që Qeveria të bjerë për shkak të mosmiratimit të buxhetit. Ky proces mund të zvarritet deri në mars, sepse koalicioni qeverisës nuk e nxjerr në votim duke e ditur që nuk i ka votat, nuk ka arsye ta bëjë një gjë të tillë”, ka thënë ndër të tjera ai.