Elton Tota, ekspert i së drejtës evropiane, thotë se në dhjetë vjetët e fundit fushëbeteja ruse kundër zgjerimit të BE-së është Ballkani Perëndimor, vende të cilat, BE-ja që prej themelimit të saj i ka në strategjinë e zgjerimit.
“Me përjashtim të anëtarësimit të Kroacisë në 2013-n, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në një proces të gjatë dhe të vështirë të Stabilizim-Asocimit”, ka thënë Tota. Sipas tij, deklarata e presidentit të Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker në vitin 2014 se negociatat me BE-në do të duhej të vazhdojnë, por nuk do të ketë zgjerim tjetër edhe për pesë vjetët e ardhshme, ishte mesazhi i gabuar dhe në kohën e gabuar për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Kjo krijoi hapësirën e duhur për Rusinë që rikthehet fuqishëm në lojë pikërisht në Ballkanin Perëndimor për të krijuar bllokadë dhe sjell dobësimin e BE-së në njërën nga politikat e saj më të suksesshme prej themelimit të saj – politikën e zgjerimit”, shprehet Tota, duke shtuar se BE-ja fatkeqësisht nuk ka treguar aftësi bindëse reaguese ndaj qasjes më të re ose rikthimit rus në rajon dhe as për të zbutur skepticizmin gjithnjë e në rritje ndaj Bashkimit Evropian./Zëri/