Parametrat e rinj rregullativë për periudhën 2018-2022, të miratuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë të hënën, nuk do të ndikojnë në tarifat e energjisë elektrike për vitin 2018.

Kështu thuhet në një sqarim të ZRRE-së dërguar mediave, në të cilin hidhen poshtë disa prej raportimeve dhe pretendimeve të ditëve të fundit të bëra nga disa media dhe organizata të shoqërisë civile.
Sipas ZRRE-së, “disa organizata të shoqërisë civile dhe individë të tjerë kanë bërë reagime, vlerësime dhe kualifikime nga më të ndryshmet, të cilat janë në kundërshtim me realitetin për sa i përket reflektimit të këtyre parametrave në rritjen e çmimit të energjisë elektrike”.
“Për ZRRE-në disa nga këto vlerësime dhe reagime janë joprofesionale dhe mund të krijojnë opinion joreal tek konsumatorët. Prandaj si të tilla për ZRRE-në janë të papranueshme, cenojnë integritetin dhe profesionalizmin e ZRRE-së dhe për më tepër dezinformojnë opinionin”, thuhet në sqarimin e Rregullatorit të Energjisë./Koha Ditore/