Anëtarët e Bashkimit Evropian duhet të arrijnë një marrëveshje për një paketë të ardhshme sanksionesh kundër Rusisë, duke përfshirë kufizimet në importet e naftës ruse, në bisedimet që zhvillohen aktualisht nga zyrtarët, tha të hënën shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
“Duhet të vendosim unanimisht. Ka pasë bisedime dje pasdite, do të ketë sot në mëngjes dhe gjatë gjithë pasdites”, tha Josep Borrell për transmetuesin France Info.
Borrell tutje ka shtuar: “Mendoj se sot pasdite do të jemi në gjendje t’u ofrojmë krerëve të vendeve anëtare një marrëveshje”.
I pyetur nëse planet për të përfshirë një ndalim të importit të naftës ruse mund të dështojnë për shkak të rezistencës nga Hungaria dhe shtetet e tjera të Evropës Lindore, Borrell tha se ai “nuk mendon se do të jetë kështu” dhe se sipas tij, në fund do të ketë një marrëveshje.