Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, ka mirëpritur futjen në listë të zezë të 27 personave në mesin e të cilëve janë edhe shtetas të Shqipërisë që janë përfshirë në korrupsion serioz.
Kim, publikimin e listës së zezë prej 27 personave e cilësoi si veprim të rëndësishëm britanik, teksa shtoi se “askush nuk është mbi ligjin”.
“Ata që kanë abuzuar me besimin e publikut për t’u pasuruar dhe për të penguar sundimin e ligjit, pra ata që janë përfshirë në korrupsion të madh dhe kanë minuar demokracinë, duhet të përballen me drejtësinë. Askush nuk është mbi ligjin”, ka shkruar Kim.
Ndërsa, i Dërguari Special i Kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, tha se këtë javë, ata morën veprime frenuese kundër disa individëve shqiptarë në lidhje me krimin dhe korrupsionin, të publikuara gjerësisht e të dokumentuara.
“Kjo është vala e parë e një serie veprimesh për të inkurajuar llogaridhënien dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Mbretëria e Bashkuar ka një sërë mjetesh të vlefshme për të ndaluar individët që kanë lidhje me krimin dhe korrupsionin, përfshirë emigracionin dhe ndërprerjen e lidhjeve ekonomike”, është shprehur Peach, transmeton Klankosova.tv.