Barazimi i Swansea City ndaj Prestonit i jep ndjesinë e humbjes yllit të Kosovës Bersant Celinës.
Mesfushori i Kosovës, Bersant Celina dha kontributin e tij që Swansea City ta fitojë të paktën një pikë të shtunën në Championship – nivelin e dytë të futbollit anglez – duke asistuar në barazimin 1-1 ndaj Prestonit.
Por, ky barazim ishte i pamjaftueshëm për të, pasi Celina këmbëngul se Swansea meritoi më shumë. Derisa i falënderoi tifozët për përkrahjen, 22-vjeçari u zotua se nuk do të ndalojë së luftuari.
“Një pikë ta jep ndjesinë e humbjes. Ne merituam më shumë dhe nuk do të ndalemi së luftuari. Faleminderit për përkrahjen e madhe si gjithmonë”, shkroi Celina në Instagram.
Swansea – që është duke luftuar për një vend në play-off për t’u rikthyer në Premierligë – u ndal me barazimin 1-1 nga Prestoni, skuadra që nuk di për fitore në pesë ndeshjet e fundit në Championship.
Dhjetë minuta brenda pjesës së dytë, mesfushori atakues i Kosovës Celina e gjeti Baker-Richardsonin në zonë me një pasim të thjeshtë me të majtën, duke i ndihmuar Cityt të kalojë në epërsi 1-0.
Megjithatë, vetëm pesë minuta më vonë, Prestoni e barazoi rezultatin në 1-1, duke ia mohuar fitoren Swanseas.
Kosovari i lindur në Prizren i ka shënuar katër gola dhe i ka bërë katër asistime në 24 ndeshje deri tani këtë sezon për Swansea.
Swansea tani ngel gjashtë pikë larg vendin të gjashtë, pozitës së fundit që siguron play-offin për promovim në Premierligë./GE/