Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka reaguar ndaj dy anëtarëve të VV-së në këtë institucion, Alim Rama dhe Sami Kurteshi.
Ajo duke iu drejtuar Ramës, tha se i kanë helmuar votuesit nga jashtë, duke thënë se Daka e KQZ-ja po bëjnë çdo gjë për të penguar votimin e tyre.
“I ke helmu votuesit nga jashtë, duke thënë se Valdete Daka, dhe KQZ-ja po bëjnë çdo gjë që ata mos me votu. Valdete Daka është shndërruar në personalitetin që e ndalon krejt mërgatën. A bën more me u ndal më. A bën ju me u ndal”, ka thënë Daka. “Nuk po mund të mbajmë mbledhjet tona. Prej që keni ardhur ju të dy në këtë institucion, mbledhjet janë shndërruar në ankth, jo vetëm për ne. Bollni më. Kemi pasur përfaqësues të VV-së herave tjera në KQZ dhe nuk u ka penguar kjo. Juve personalisht ju pengon”.
E Sami Kurteshi ka thënë se do të adresojnë çdo çështje që ka të bëjë me votat.
“Ne e kemi krijuar gjendjen që ky institucion mos të jetë më makinë votimi, sipas diktatit tuaj. Ka ndryshuar sistemi. Nuk lejojmë asnjë çështje që është publike, që ka të bëjë me KQZ-në, që ka të bëjë me vota, pa u ngritë, ju pëlqej apo nuk ju pëlqej. Asnjëherë personalisht nuk ju kemi akuzuar apo sulmuar. Përpjekja e juaj për shndërrimin në luftë personale është absurde. Kemi me kërku transparencë deri në fund”, ka thënë Kurteshi.
Daka ka thënë se çështja e PZAP-së nuk është në rend dite, e Sami Kurteshi i është përgjigjur duke thënë se PZAP-ja dhe KQZ-ja po i shkelin të drejtat e njeriut.
“A po e kuptoni absurditetin që po e bëjmë ndaj qytetarëve”, ka thënë Kurteshi.