Prishtinë, 24 janar 2021 — Dita e pestë Ndërkombëtare e Arsimit, e cila festohet më 24 janar synon të ndërgjegjësojë publikun dhe institucionet shtetërore rreth rëndësisë së ofrimit të arsimit të aksesueshëm, të drejtë dhe cilësor si faktori kyç në përmirësimin e cilësisë së përgjithshme të jetës. Një nga organizatat që pranon rëndësinë e përmirësimit të shkrim-leximit dhe përgatitjes së nxënësve për punësimin në të ardhmen është edhe British Council, i cili me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, ka nisur një nga programet arsimore më të gjera në këtë zonë – Shkollat e Shekullit 21.
Gjatë programit rajonal trevjeçar, pothuajse një milion nxënës të grupmoshës 10-15 vjeç në Ballkanin Perëndimor kanë përvetësuar dhe përmirësuar aftësitë e tyre të të menduarit kritik, të zgjidhjes së problemeve dhe të kodimit, me ndihmën e më shumë se 17,000 mësuesve dhe drejtorëve të trajnuar.
Për t’i mundësuar nxënësve të zotërojnë aftësi që do t’u japin mundësi më të mira për ecur në jetën personale, për punësim në të ardhmen dhe një të ardhme më të mirë, shkollave në Ballkanin Perëndimor iu dhuruan 93,166 pajisje micro:bit për të zbatuar aftësitë dhe teknikat e reja të mësimdhënies. Duke qenë se teknikat dhe aftësitë në fushën e mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve si dhe pajisjet e dhuruara mund të përdoren në çdo lëndë, jo vetëm në lëndën e shkencave kompjuterike, me ndihmën e pajisjeve micro:bit janë lançuar konkurse kodimi.
Përveç përvetësimit dhe përmirësimit të aftësive specifike të domosdoshme në karrierat e tyre të ardhshme, ndikimet pozitive të programit “Shkollat e Shekullit 21” janë pasqyruar në projektet e shumta krijuese dhe novatore që nxënësit kanë hartuar në këto konkurse. Për të zgjidhur disa nga sfidat në mjedisin që i rrethon, nxënësit e shkollës fillore kanë krijuar një sërë projektesh – për të trajtuar ndikimet negative të ndryshimit të klimës, garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë, ndihmuar nxënësit me nevoja të veçanta arsimore, monitoruar kushtet e mësimdhënies për shkak të pandemisë, rritur prodhimin e energjisë elektrike në mënyrë miqësore me mjedisin.
Programe të tilla që ndjekin një qasje gjithëpërfshirëse dhe efektive, pa diskriminuar, të cilat po përmirësojnë arsimin e përgjithshëm me qëllimin për të zhvilluar aftësi të reja duke përdorur instrumente të të nxënit digjital janë shumë të rëndësishme në zhvillimin e çdo fëmije si person dhe qytetar dhe janë një hap i rëndësishëm drejt kapërcimit të hendekut digjital për një të ardhme më të ndritur.
Rreth programit “Shkollat e Shekullit 21”:“Shkollat e Shekullit 21“ është programi më i madh i arsimit në Ballkanin Perëndimor, financuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, i cili synon të mbështesë një milion nxënës të moshës 10 -15 vjeç në mbarë rajonin për të zhvilluar shkathtësitë e Mendimit Kritik, Zgjidhjes së Problemeve dhe Kodimit.Që nga fillimi i zbatimit të programit “Shkollat e Shekullit 21“ në Kosovë, janë shërbyer 605 shkolla fillore të mesme të ulëta, dhe janë trajnuar rreth 2,500 mësimdhënës për mendimin kritik, zgjidhjen e problemeve dhe kodimin, duke përkrahur kështu përmirësimin e arsimit në të gjitha shkollat fillore të mesme të ulëta publike në Kosovë.