Emisari për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, sot pritet të arrijë në Prishtinë bashkë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Ardhjen e tij e ka konfirmuar zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, i cili në një konferencë për media tha se vizita e tij në Prishtinë dhe Beograd është për vazhdim të mbështetjes së dialogut.
Megjithatë, Escobar në Prishtinë nuk do të takojë kreun e ekzekutivit, Albin Kurti. Kështu ka konfirmuar për T7 zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Por, Escobar do të pritet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, si dhe do të ketë darkë pune me krerët e partive opozitare; kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn.
“Kryetari i PDK-së, z. Memli Krasniqi është i ftuar nga z. Escobar për darkë pune të martën pasdite në rezidencën e Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë”, ka konfirmuar PDK për Gazetën Express.
Vizita e Escobarit dhe Lajçakut vjen pas dështimit të arritjes së ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në takimin e 18 gushtit që pati kryeministri Kurti me presidentin serb Vuçiq, në Bruksel.
Pas takimit pesëorësh, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se negociatat e asaj dite nuk rezultuan me një marrëveshje, por shpresonte se do të kishte takim tjetër, para 1 shtatorit.
Një shtatori është data, të cilën Qeveria e Kosovës e ka caktuar për hyrje në fuqi të vendimit të saj për targat e lëshuara ilegalisht nga Serbia dhe lëshimit të një letre hyrje/dalje për shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë, ashtu siç lëshohet për kosovarët që hyjnë në Serbi./Gazeta Express/