Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka ritheksuar të hënën kërcënimin e tij për të “ngrirë” ofertat e anëtarësimit në NATO të Suedisë dhe Finlandës, nëse aleanca ushtarake nuk i përmbush kushtet e Ankarasë.
Pas disa javësh grindjeje, Turqia njoftoi muajin e kaluar nënshkrimin e një memorandumi me Finlandën dhe Suedinë që hap rrugën që të dy vendet të bëhen anëtare të NATO-s.
“Dua të ritheksoj edhe një herë se ne do të ngrijmë procesin nëse këto vende nuk ndërmarrin hapat e nevojshëm për të përmbushur kushtet tona”.
Të dy kombet kanë hequr dorë nga historia e tyre e mosangazhimit ushtarak dhe kanë treguar planet për t’u bashkuar me NATO-n në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.
Por aplikimet e vendeve të reja duhet të miratohen nga të gjithë anëtarët dhe të ratifikohen nga parlamentet e tyre përkatëse.
Ofertat e tyre u drejtuan për miratim të shpejtë derisa Erdogan shprehu shqetësime në maj për mbështetjen e vendeve për grupet militante kurde, të cilat Ankaraja i konsideron grupe terroriste. Për më tepër, udhëheqësi turk kërkoi nga vendet nordike të heqin embargot e armëve të vendosura, në përgjigje të inkursionit ushtarak të Turqisë në Siri në vitin 2019.
“Dua të përsëris edhe një herë se ne do të ngrijmë procesin nëse këto vende nuk marrin hapat e nevojshëm për të përmbushur kushtet tona”, tha Erdogan të hënën, në prag të samitit të tij trepalësh me Rusinë dhe Iranin.
“Ne theksojmë veçanërisht se Suedia nuk ka një imazh të mirë për këtë çështje”, shtoi ai.