Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës ka filluar sot, 30 gusht dhe do të përfundojë më 10 shtator 2019.
Gjatë kësaj periudhe, shtetasit kosovarë që jetojnë jashtë Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 6 tetor 2019.
“Gjithashtu, edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë”.
“Në këtë afat të përcaktuar nga KQZ-ja, aplikimi për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës mund të bëhet përmes këtyre mundësive: fahut postar të KQZ-së; fax-it të KQZ-së dhe përmes ndonjërës nga e-mail adresat e Shërbimit Votues të KQZ-së”.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që jetojnë jashtë Kosovës dhe që i plotësojnë kriteret ligjore përkatëse – që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe pastaj edhe të votojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”.