Gennaro Gattuso dëshiron që Napoli i tij ta tregojë respektin e njëjtë ndaj çdo kundërshtari siç e tregoi ndaj Interit, pas fitores në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë.
Napoli nuk e kishte mposhtur kurrë Interin në udhëtim në Kupën e Italisë, duke barazuar një herë dhe duke pësuar tri humbje, por goli i mrekullueshëm i Fabian Ruiz e bëri dallimin mbrëmjen e së mërkurës në San Siro.
Është e jashtëzakonshme sesi Napoli u mposht nga Lecce në shtëpi pasi i kishte mposhtur Juventusin dhe Lazion.
Prandaj Gattuso kërkon nga lojtarët e vet të tregojnë respekt edhe ndaj ekipeve më të vogla.
“Kur luan kundër një ekipi të fortë siç është Interi, duhet ta respektosh dhe të japësh më shumë nga vetja. I përgëzojë djelmoshat e mi, por unë gjithmonë e dua të njëjtën qasje, sepse i kemi edhe 17 ndeshje. Duhet ta respektojmë çdo kundërshtar dhe të luajmë me konceptet që i ushtruam gjatë kësaj jave”, tha Gattuso.
Ndeshja e kthimit mes Napolit dhe Interit do të zhvillohet më 5 mars në San Paolo.