fbpx
Innovation Media informatat.com BETA
  • Home
  • Koronavirus
  • Lajme
  • Ekonomia
  • Sport
  • Showbiz
  • Tech & Inovacion
  • Energjia
  • Home
  • Koronavirus
  • Lajme
  • Ekonomia
  • Sport
  • Showbiz
  • Tech & Inovacion
  • Energjia
LAJMET E FUNDIT:
  • 21 March, 2023 23:42 Murati thotë se me qeverinë “Kurti” ekonomisë çdo vit i shtohet nga 1 miliard euro
  • 21 March, 2023 23:41 Kjo është polica e re kufitare
  • 21 March, 2023 23:40 Pas humbjeve në Trust, opozita kritikon Qeverinë që refuzoi tërheqjen nga kontributpaguesit
  • 21 March, 2023 23:38 200 metra afër, incidenti i dy avionëve mbi qiellin e Kosovës [video] 200 metra afër, incidenti i dy avionëve mbi qiellin e Kosovës
  • 21 March, 2023 23:35 Arrestohet postieri, e fshehu një zarf me disa fotografi të ndjeshme brenda
  • 21 March, 2023 23:34 Dalin rezultatet, ky është çifti që votuan shqiptarët për të nxjerrë në nominim
  • 21 March, 2023 23:33 “Unë nuk luaj me zemrën time”/ Keisi flet për ndërprerjen e marrëdhënies me Kristin
  • 21 March, 2023 23:32 Vazhdon historia e debatit mbi sytjenat, pas Shota Baraliut reagon edhe Ana Kabashi (FOTO)
  • 21 March, 2023 23:31 Abdixhiku: DASh me deklaratë zhgënjyese ndaj Kosovës, për herë të parë në histori
  • 21 March, 2023 23:30 Hasani: Marrëveshja e Ohrit është autonomi territoriale për serbët
Innovation Media informatat.com BETA
  • Home
  • Koronavirus
  • Lajme
  • Ekonomia
  • Sport
  • Showbiz
  • Tech & Inovacion
  • Energjia
  • Home
  • Koronavirus
  • Lajme
  • Ekonomia
  • Sport
  • Showbiz
  • Tech & Inovacion
  • Energjia
Gratë frymëzuese të Ukrainës, nga Valbona Zeneli
8 March, 2022

Gratë ndihmuan në ndërtimin e Ukrainës, gratë po ndihmojnë në shpëtimin e saj

nga Valbona Zeneli

Botuar tek The National Interest

Populli trim ukrainas po i jep një mësim mbarë botës, se çfarë do të thotë të luftosh për liri, demokraci dhe pavarësi.

Që prej vitit 2014, kam pasur nderin të udhëtoj shpesh në Ukrainë dhe të bashkëpunoj me reformatorë mbresëlënës e dinamikë, të cilët i kam admiruar gjithmonë për energjinë e tyre pozitive, dashurinë për vendin dhe pasionin infektues për lirinë dhe demokracinë. Ndërsa zemra më gjakoset duke ndjekur lajmet për luftën dhe shkatërrimin në Ukrainë e duke qenë në kontakt të vazhdueshëm, dua t’u bëj një homazh miqve të mi që po luftojnë për lirinë e vendit të tyre, por edhe të Europës sonë, veçanërisht grave të guximshme ukrainase.

Gratë në të gjithë Ukrainën, nga politikanet dhe diplomatet, tek ekspertët e shoqërisë civile, tek mbretëreshat e bukurisë, amvisat apo artistet, kanë rrokur armët për të mbrojtur vendin e tyre. Ato kanë kapur mikrofonat për të rritur ndërgjegjësimin ndërkombëtar dhe për të mbrojtur mënyrën e tyre demokratike të jetesës. Gratë ukrainase fituan një zë të fortë në dekadën e fundit të revolucionit e konfliktit, dhe ky është zëri që bota po dëgjon sot teksa mbrojnë familjet dhe vendin e tyre në luftën për liri dhe demokraci.

Lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë kundër Ukrainës po rrezikon miliona njerëz të pafajshëm, po minon themelet e rendit ndërkombëtar dhe po riformulon në mënyrë thelbësore sigurinë dhe politikën europiane. Kjo po ndodh kryesisht për shkak të rezistencës së jashtëzakonshme të ushtrisë, udhëheqjes dhe mbi të gjitha, popullit ukrainas.

Obsesioni i Putinit me Ukrainën gjatë gjithë mandatit të tij qeverisës lidhet me narrativën e tij historike për rindërtimin e perandorisë ruse. Përveç rëndësisë ekonomike, pozicionit strategjik të Ukrainës dhe burimeve të saj kombëtare, mbi të gjitha, obsesioni i Putinit lidhet me zgjedhjen e Ukrainës për demokraci dhe dëshira për lidhje më të ngushta me Bashkimin Europian dhe Perëndimin. Kjo përbën kërcënimin më të madh për regjimin e Putinit.

Kremlini, në dy dekadat e fundit ka përdorur një demokraci “fasadë” për të krijuar një atmosferë të rreme në skenën ndërkombëtare, të një fuqie moderne. Ajo që e tmerroi më shumë se gjithçka udhëheqjen ruse ka qenë vala globale e revolucioneve që në fillim të viteve 2000. Revolucioni i Trëndafilave (Rose Revolution) në vitin 2003 në Gjeorgji, Revolucioni Portokalli (Orange Revolution) 2004-05 në Ukrainë, protestat e papritura dhe shumë të mëdha të dhjetorit 2011 në Rusi kundër zgjedhjeve të manipuluara, Revolucioni i Pranverës Arabe në 2011-2012 dhe, mbi të gjitha, Revolucioni i suksesshëm Euromaidan 2013-2014, Revolucioni i Dinjitetit në Ukrainë. Nuk ka dyshim se Revolucioni Euromaidan është arsyeja kryesore që motivoi aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Putini dhe luftën e përgjakshme në Ukrainën lindore. Putin shpresonte se duke luajtur një kartë etno-nacionaliste, do të ndalonte mbështetjen e tij hemorragjike popullore në Rusi. Pasojat e padëshiruara të sjelljes agresive të Putinit i kanë dalë kundër tij. Së pari, promovimi i një identiteti të fortë kombëtar ukrainas që prej vitit 2014, si edhe një ndryshim i vërtetë në unitetin europian dhe transatlantik, në javët e fundit.

Revolucioni i Dinjitetit në vitet 2013-2014 që mblodhi bashkë qindra mijëra ukrainas për shprehur një dëshirë të fortë për të qenë pjesë e Europës demokratike, duke manifestuar në shenjë proteste kundër vendimit të ish-presidentit Viktor Janukoviç për të mos nënshkruar Marrëveshjen e Asociimit dhe Stabilizimit me Bashkimin Evropian. Zemërimi i tyre ishte i përforcuar nga zhgënjimi i tyre me korrupsionin e tmerrshëm që e kishte bërë Ukrainën vendin më të varfër në Europë, duke u grabitur dinjitetin qytetarëve të saj. Në zemër të revolucionit ishin gratë, të cilat përbënin 50 % të pjesëmarrësve. Duke mbushur rrugët e Kievit, ata ishin si në vijën e parë të demonstratave, ashtu edhe duke mbështetur protestuesit në kryerjen e detyrave kritike si shpërndarja e ushqimeve dhe furnizimeve mjekësore, mbledhja e fondeve, patrullimi i barrikadave dhe ofrimi i shërbimeve ligjore gratis.

Ndërsa Ukraina kalonte nëpër ndryshime dramatike dhe reforma demokratike, 47 gra u zgjodhën në parlamentin e Ukrainës, Verkhovna Rada, në nëntor 2014. Ndërsa ishte një moment historik politik për Ukrainën, gratë gjithsesi përbënin vetëm 11% të parlamentit. Por ato ishin të gjitha luftëtare të vërteta dhe disa prej tyre ishin gratë më të guximshme që kam takuar ndonjëherë. Ato udhëhiqeshin nga një vizion për një Ukrainë transparente, të përgjegjshme, të mirë-qeverisur dhe më të begatë. Angazhimi i tyre për të bërë reformat e duhura ishte kyç për një sërë reformash pozitive në vend, sidomos në sistemin e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Numri i grave në parlament u rrit ndjeshëm pas zgjedhjeve të vitit 2019, duke shkuar në 20%, duke demonstruar rolin e tyre më të madh politik në çështjet e Ukrainës. Gratë kanë qenë gjithashtu thelbësore për të luftuar agresionin rus që nga viti 2014. Ato përbëjnë tani 20% të Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe sipas një ligji të ri, atyre u sigurohen të drejta të barabarta me burrat për të shërbyer në pozicione luftarake, por dhe për përfitime e promovime si kolegët e tyre. Shumë gra shërbejnë gjithashtu në agjencitë e zbatimit të ligjit duke demonstruar përkushtim dhe ekspertizë të fortë. Me administratën e Presidentit Zelensky, ka pasur një rritje cilësore të numrit të grave në poste ministrore të nivelit të lartë. Barazia gjinore ka qenë një nga objektivat aspiruese që nga Revolucioni i Dinjitetit, megjithatë më shumë duhej bërë për të fuqizuar gratë ekonomikisht, socialisht dhe politikisht.

Konflikti i përgjakshëm në Ukrainën lindore, ka krijuar emigracion të brendshëm, me më shumë se 2 milionë persona të zhvendosur brenda vendit, dhe ka ndikuar në mënyrë disproporcionale tek gratë, por ato nuk e kanë humbur vullnetin për të luftuar. Unë nuk mund as të imagjinoj pasojat e ndikimit të luftës frontale, që jemi aktualisht dëshmitarë. Deri në këtë moment më shumë se 1 milion refugjatë (kryesisht gra dhe fëmijë) janë larguar nga Ukraina, dhe miliona të tjerë janë në proces zhvendosje, brenda dhe jashtë vendit.

Në dekadën e fundit, ndërkombëtarisht ka pasur një vlerësim në rritje për rolin e grave në proceset e demokratizuese. Edhe Politizimi i mëmësisë që “shndërron nevojat që lidhen me fëmijët në kërkesa politike dhe në këtë mënyrë nxit veprimin politik”, është një argument i ri në literaturën e demokratizimit.

Kjo është ajo që ne po shohim në Ukrainë. Ndryshime të jashtëzakonshme po nxiten nga gra të guximshme të cilat po kontribuojnë si të barabarta për të ardhmen e vendit. Legjislacioni i ri i miratuar nga parlamenti në janar 2022, lejon që gratë të regjistrohen dhe të shërbejnë në Forcat e Mbrojtjes Territoriale. Edhe pse një ligj shumë i debatuar publikisht, ky është një zhvillim pozitiv që do të ndryshojë mentalitetin, do të ndryshojë normat tradicionale gjinore duke njohur dhe vlerësuar se gratë janë qendrore për çështjen kombëtare. Disa deputete të reja (dhe mike shumë të mira) që luftuan fort për të promovuar legjislacionin për Forcat e Mbrojtjes Territoriale, janë duke shërbyer tashmë vetë në vijën e parë të luftës. Shoqëria civile ukrainase ka qenë një nga shtytësit kryesorë për zhvillimet demokratike në Ukrainë. Vetëm pak ditë më parë, liderët e shoqërisë civile atje nënshkruan Deklaratën e Kievit, duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare teksa po bombardoheshin nga raketat ruse. Duke zgjedhur lirinë dhe demokracinë mbi autoritarizmin, vlen të theksohet se pothuajse 50% e 94 nënshkruesve janë gra.

Kjo krizë është përtej çdo imagjinate dhe katastrofike në pasoja. Por ajo që është e pashmangshme është roli i paçmuar që gratë kanë luajtur në drejtimin dhe mbështetjen e pergjigjes së fortë ukrainase duke marrë armët, mikrofonat, duke mbështetur përpjekjet e luftës, duke siguruar familjet e tyre dhe duke marrë përgjegjësinë për fëmijët ndërsa kërkojnë strehim në vendet fqinje. Pjesëmarrja dhe udhëheqja e tyre janë frymëzuese. Institucionet ndërkombëtare, nga Kombet e Bashkuara, NATO apo Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) duhet t’i kushtojnë vëmendje shumë më të madhe kësaj krize tragjike humanitare me një lente të veçantë se si kjo luftë po prek gratë. Dëgjimi i zërit të tyre është një imperativ strategjik. Gratë udhëheqëse në qeveri dhe shoqërinë civile duhet të kenë në qendër jo vetëm zgjidhjen e këtij konflikti të tmerrshëm, por edhe rindërtimin e një Ukraine të lirë dhe demokratike kur ky konflikt i gjakshëm të përfundojë.

Dr. Valbona Zeneli është drejtore e Departamentit të Iniciativave Strategjike në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë, “George C. Marshall”, si edhe studiuese vizitore në Institutin për Shkenca Humane (IWM) në Vienë. Pikëpamjet e shprehura janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e qeverisë së SHBA-së, Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së ose ndonjë prej institucioneve të saj.

« Previous Post
Next Post »
Opinione
“Në vende si tonat janë madje gratë që luftojnë gratë më shumë sesa burrat….”
21 March, 2023 23:47

“Në vende si tonat janë madje gratë që luftojnë gratë më shumë sesa burrat….”

Lifestyle
Puna me orë të zgjatura, si të kujdesemi?
21 March, 2023

Puna me orë të zgjatura, si të kujdesemi?

Edhe pse puna me orë të gjata në zyrë mund të ndihmojë progresin e korporatës, ajo nuk ju ndihmon ju

Lajmet e fundit
  • Kërkesa e qartë e BE-së dhe SHBA-së drejt Kurtit e Vuçiqit: Zbatojeni Marrëveshjen e Ohrit 22 March, 2023
  • Kryhet një operacion i rrallë në Spitalin e Pejës, 67-vjeçares i hiqet masa tumorale 21 March, 2023
  • “Lufta” në OFK: Gjyqi i Nderit e rikthen Jakupin, anëtarët e Kuvendit iniciojnë zgjedhjen e kryetarit të ri 21 March, 2023
  • “Në vende si tonat janë madje gratë që luftojnë gratë më shumë sesa burrat….” 21 March, 2023
  • Është koha për të marrë përgjegjësi dhe për të ecur drejt BE-së 21 March, 2023
Innovation Media

informatat.com Mirëmbahet dhe menaxhohet nga Innovation Media Shpk. Të gjitha Lajmet janë të mbrojtura me copyright të Innovation Media © 2018 WEB!

INFO

[email protected]
[email protected]
[email protected]
www.instagram.com/informatat
www.facebook.com/informatat

informatat.com - +383 45 306 308
Impresum
Scroll to top