Mbi 50 për qind e aseteve shoqërore në Kosovë ende nuk janë privatizuar, por procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në një afat real prej 5 deri në 7 vjet do të mund të përmbyllet në tërësi.
Këto deklarime i bëri Drejtor Menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari.
” Ne mendojmë se nëse të gjitha institucionet funksionojnë si duhet ne një afat real prej 5 deri në 7 vjet do të mund të përmbyllnim procesin e privatizimit në tërësi?”, ka thënë Hajdari.
Ai ka thënë se mjetet e Fondit të Privatizimit që aktualisht janë mbi 400 milionë euro mund të investohen vetëm në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës.
Hajdari këtë e konsideron një proces të stërzgjatur, i cili sipas tij ka filluar në vitin 2002/2003 dhe ka vazhduar qe 15 vite.
” Nuk është se mund të lavdërohemi se është kryer një punë me ritmin që është paraparë qysh atëherë kur ka hyrë ligji në fuqi. Tani mund të them se gjendemi në gjysmë të rrugës së procesit të privatizimit. Kjo ilustrohet më së miri me të dhënat e privatizimit”, ka thënë Hajdari.
Sipas tij deri më tani janë privatizuar 1607 prona, asete të ndërmarrjeve shoqërore dhe kontratat për të gjitha këto asete janë nënshkruar, ndërsa kanë mbetur pa u privatizuar edhe 2119 asete shoqërore. Nga ky mësojme se edhe gjysma e aseteve shoqërore nuk janë privatizuar.
Në vitin e kaluar këto të dhëna kanë qenë të tjera, pasi që AKP ndërkohë ka vazhduar të identifikojë asete të reja të cilat nuk i kemi pasur të regjistruara, dhe rrjedhimisht ky numër i aseteve të pashitura po vazhdon të rritet.
Hajdari ka bërë të ditur se në mesin e aseteve të pa privatizuara janë ato disa më strategjiket.
‘Është një numër i aseteve që ne i konsiderojmë astete strategjike. Është një listë kjo e cila i është dorëzuar Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrisë për Investime Strategjike në mënyrë që bashkërisht në koordinim t’i trajtojmë.
Pjesa tjetër e fondit nuk mund të investohet, pasi që janë fonde që presin destinacionin e tyre, qoftë për pagesat e kreditorëve të shumtë, qoftë për punëtorët. Po presim që Dhoma e posaçme e Gjykatës Supreme të fillojë punën me një dinamikë të shtuar dhe të aprovojë kërkesat e shumat që presin trajtim”, ka thënë Hajdari.
Por se kur pritet të përfundojë i gjithë procesi i privatizimit Hajdari ka thënë se kjo është ende një çështje e cila vazhdimisht diskutohet, për të cilën pritet një plan strategjik se kur parashihet përmbyllja e procesit të privatizimit.
” Për herë të parë e kemi bërë këtë pyetje në vitin 2016 në Komisionin për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës. Në këtë diskutim e sipër ka dal si kërkesë nga Komisioni që ne si AKP të hartomë një strategji përmbyllëse, dokument i cili do të paraqes një orar të strukturuar ndër vite i cili ka një plan strategjik se kur parashihet përmbyllja e procesit të privatizimit”.
“Në atë kohë kemi hartuar atë dokument të tillë dhe e kemi dorëzuar tek Komisioni për zhvillim ekonomik. Qeveria dhe ne si AKP kemi filluar zbatimit e atij plani, por ndërkohë rrjedhat politike në vend, mos funksionimi i institucioneve për një kohë, në veçanti dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme e cila akoma mbetet jo funksionale ka shkaktuar probleme të mëdha në realizimin e atij plani strategjik, pasi që shumica e proceseve në likuidim, shitjeve, ankesave, kresave të kreditorëve varet nga ky institucion. (Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme). Varësia nga ky institucion na ka vendos në një status kohë që në shumicën e këtyre proceseve kemi stagnuar”, ka vazhduar Hajdari.
Një nga problemet e procesit të privatizimit kanë qenë edhe pronat e uzurpuara, për të cilat Hajdari thotë se nuk e di që ka ndonjë pronë të ndërmarrjeve shoqërore të uzurpuar sot.
“Ne përgjatë dy viteve të fundit kemi ndërmarrë aksione të shumta në bashkëpunim me Policinë e Kosovë në mbarë Kosovën dhe edhe në veri të vendit dhe të gjitha i kemi liruar./Unë e di që në opinion, por edhe tek ne arrijnë ankesa të palëve të cilët vetëm se kanë privatizuar një aset, aset ai i cili është dorëzuar palës nga AKP i lirë, por që sot ndoshta nuk e gëzon të lirë. Ne gjitha këto palë i kemi inkurajuar që të ju drejtohen gjykatave dhe të vendosin drejtësi”, ka thënë Hajdari.
Hajdari konsideron se mandati i AKP-së ka qenë në funksion të plotë të zhvillimit ekonomik. Por që sipas tij rrethanat e shumta politike kryesisht kanë ndërhyrë ndër vite në këtë proces dhe ky proces është luhatur kohë pas kohe, por pavarësisht këtyre rrethanave ai konsideron se ky proces vazhdon të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik.