Kryeministri Avdullah Hoti e ka quajtur sukses vendimin e Qeverisë për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kuadër të Gardës Kombëtare të Iowa-s në misionin paqeruajtës me qëllim të sigurimit të stabilitetit rajonal në regjionin e Komandës Qendrore Amerikane (U.S. Central Command – USCENTCOM).
Ai ka thënë se ky mision duhet të konceptohet jo vetëm si një detyrë në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare, por si një konfirmim të rrugëtimit të Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.
“Përtej simbolikës, që është tepër domethënëse për secilin prej nesh dhe për secilin qytetar të Republikës, misioni i parë i pjesëtarëve të FSK-së na bënë krenarë edhe për faktin se ai do të realizohet në bashkëpunimin të plotë me Gardën Kombëtare të Iowa-s, e cila ka dhënë ndihmesë të paçmueshme për profesionalizimin e FSK-së”.
“Ndjehem i privilegjuar që në mandatin e kësaj Qeverie, Republika e Kosovës, edhe në fushë të sigurisë, po bëhet pjesë e familjes së madhe të kombeve të lira. Kjo nënkupton se ne, si çdo komb tjetër sovran në botë, po marrim pjesën tonë të përgjegjësisë për paqen globale, mirëqenien dhe sigurinë e përgjithshme. Sot, së bashku, ju ftoj ta pohojmë njëzëshëm para miqve dhe botës mbarë, se ne jemi të ndërgjegjshëm dhe besimplotë jo vetëm për mundësitë, por edhe për përgjegjësitë që na takojnë”.
“Republika e Kosovë është e përkushtuar për paqe dhe bashkëpunim ndërmjet shteteve sovrane, ndërmjet popujve liridashës kudo në botë”.
Hoti ka bërë thirrje që të votohet ky propozim dhe iu tha deputetëve se duke votuar ata do të shkruajnë një faqe të re dhe jashtëzakonisht të rëndësishme në udhën e afirmimit dhe të forcimit të rolit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
“Ju sonte do ta bëni realitet një ëndërr të kamotshme të shumë brezave. Ju do ta bëni realitet FSK-në në misione paqeruajtëse ndërkombëtare. Populli i Kosovës, si pak popuj në botë, e kupton rëndësinë e misionit paqeruajtës. E kemi provuar këtë para dy dekadave”.