Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka thënë se viktimat e masakrës së Reçakut nuk do të prehen të qetë asnjëherë, derisa kryerësit e masakrës të marrin dënimin e merituar. Sipas tij, drejtësia ndonjëherë vonon, por do të vendoset.
“Sot në këtë ditë të veçantë, bëmë nderimet te të rënët në masakrën e Reçakut, në një vend ku ndodhi një masakër e tmerrshme. Në Kosovë janë kryer shumë krime makabre, por ky vend është më i veçantë. Kjo ngjarje sensibilizoi botën për gjendjen, terrorin e vrasjet që po ndodhnin në Kosovë me vite të tëra”, ka thënë ai nga Reçaku.
“Asnjëherë nuk do të prehen të qetë këta trupa deri sa kryerësit të marrin dënimin e merituar. Drejtësia nganjëherë vonon, por do të vendoset”, ka përfunduar ai.
Sot janë mbushur 22 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen masakrën në Reçak. Aty u masakruan 44 shqiptarë të paarmatosur.