Mëngjesin e sotëm një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në rrugën Zhur-Prizren, ku u përplasën një veturë dhe një kamion. Në këtë aksident vdiq një person dhe u lënduan dy të tjerë. Dy të lënduarit menjëherë pas aksidentit, janë dërguar në Emergjencën e QKUK-së. Gazeta Express ka kontaktuar me mjekun Gëzim Mustafa, i cili ka folur për gjendjen shëndetësore të të lënduarve.
Mjeku, Gëzim Mustafa, tha se gjendja e njërit prej të lënduarve është shumë e rëndë, pasi i njëjti ka pësuar politraumë.
Gjendja shëndetësore e të lënduarit të dytë është më e mirë. Mustafa tha se ai ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe se së shpejti pritet të lirohet nga spitali.
Shoferi i kamionit, që dyshohet se e ka shkaktuar këtë aksident, tashmë është arrestuar dhe është dërguar në ndalim policor. Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Fitore Mehmeti.
Ajo tha se i dyshuari, me inicialet B.K është ndaluar për 48 orë dhe dyshohet që ka kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Lidhur me rastin të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë vozitësin e kamionit, përkatësisht personin me inicialet B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 370, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Mehmeti për Express.
Ndërsa, udhëheqësi i zyrës së operativës në policinë e Prizrenit, Azem Baraliu tha se aksidenti ka ndodhur kur njëra prej automjeteve ka dalë në shiritin e kundërt dhe janë goditur drejtpërdrejtë.