Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dëshiron që të ruhet paqja në Kosovë dhe se do t’i ofrojë gjithmonë mbështetje popullit serb në Kosovë. Vuçiq tha se përfaqësuesit e QUINT-it i kanë thënë se kanë bërë maksimumin, por se nuk kanë arritur ta bindin Kurtin që të organizohen zgjedhjet serbe në Kosovë. Ai tha se po duan ta fusin Serbinë në konflikt duke thënë se “jemi shërbëtorë të rusëve, zbatues të urdhrave të tyre në Ballkan”.
Këto komente, Vuçiq i bëri në TV Pink, një ditë pas takimit me përfaqësuesit e partive politike serbe në Kosovë, takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë dhe takimit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Beograd, si dhe me ambasadorët e Kinës dhe Rusisë.
“Dua të ruajmë paqen dhe stabilitetin, të jem seriozë, të përgjegjshëm dhe të përkushtuar, të mendojmë se çfarë të bëjmë nesër”, tha Vuçiq duke përsëritur se serbët nga Kosova donin të braktisnin institucionet.
Vuçiq tha se përfaqësuesit e QUINT-it i kanë thënë se kanë bërë maksimumin, por se nuk kanë arritur ta bindin Kurtin që të organizohen zgjedhjet serbe në Kosovë.
“Nuk ka nevojë t’i bëj lajka njerëzve tanë duke treguar atë që ua kam thënë në fytyrë [ambasadorëve të QUINT-it] për këtë, kjo nuk do të ndryshojë gjendjen tonë”, tha ai.
Porosit se duhet të gjenden zgjidhje të caktuara, por thekson se këto zgjidhje nuk duhet të rrezikojnë mbijetesën e serbëve në Kosovë.
“A do të organizojnë autobusë, apo do të organizojnë një votim simbolik apo ndonjë votim tjetër, apo do të arrijë QUINT-i të sigurojë votimin [në Kosovë]… ne po kërkojmë zgjidhje, po presim të shohim”, tha Vuçiq.
Ai thekson se thelbi është të ruhet populli serb në Kosovë dhe se ky është resursi më i rëndësishëm për të ardhmen.
“Do të luftojmë për të gjetur një lloj zgjidhjeje, por mendoj se do të jetë e vështirë të ndalojmë serbët që të largohen nga institucionet [e Kosovë] në të ardhmen”, tha presidenti, duke shtuar se komandantët e policisë dhe stacioneve ishin të pranishëm në bisedime të martën dhe se të gjithë donin të dilnin [braktisnin vendet e punës].