Me qëllim të transparencës dhe llogaridhënies, Komuna e Skenderajt ka njoftuar qytetarët dhe opinionin e gjerë publik lidhur me shpenzimet e buxhetit për 6 muajt e parë të vitit, një pasqyrë krejt ndryshe ndaj raportimeve të disa mediave të shtyrë, siç thuhet, nga disa manipulues.
Në raportin zyrtar, i paraqitur në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të Skenderajt, përmenden të gjitha shpenzimet që ka bërë Zyra e kryetarit Bekim Jashari, por edhe shpenzimet tjera të drejtorive komunale.
Pagesa të borxheve të qeverisjes së kaluar, sipas këtij raporti, vetëm të zyrës së ish-kryetarit janë 684 euro, nga 4,280 euro borxhe të bartura nga qeverisja e kaluar.
Ndërkaq, pagesa të zyrës së kryetarit Jashari për këtë 6 muaj, për pritje të mysafirëve dhe delegacioneve, pije dhe dreka 1,083.60 euro dhe 225.30 dreka zyrtare, ose gjithsej 1,308.30, që për 180 ditë mesatarisht i bie 7.26 euro/ditë.
Komuna e Skenderajt përkujton se kryetari Bekim Jashari brenda ditës pret dhe takon me dhjetëra delegacione dhe mysafirë të nivele të ndryshme, dhe për këto aktivitete mesatarisht shpenzon 7.26 euro në ditë, dhe beson që janë shpenzimet më të ulëta të çdo zyrtari të lartë institucional në Republikën e Kosovës.
Ndërsa, shpenzimet për dreka zyrtare për 6 mujorin e parë për të gjitha 9 drejtoritë komunale, të gjitha aktivitetet sportive, kulturore, arsimore dhe të tjera, përfshirë edhe Zyrën e Kryetarit, e që janë 10,164.30 euro.
“Kjo i bie që mesatarisht 54 euro në ditë janë shpenzime për të gjitha aktivitetet e të gjitha drejtorive komunale për kategorinë dreka zyrtare, krahasuar me qeverisjen e kaluar që ka shpenzuar 33,964 euro brenda vitit 2017, apo mesatarisht 93.05 euro në ditë”, thuhet në reagim.
Për më tepër, Komuna e Skenderajt konstaton se reduktimet e shpenzimeve për dreka zyrtare, që prej ardhjes së kryetarit Jashari në raport me qeverisjen e kaluar, janë për 60 % më të ulëta.
“Kryetari Jashari do të vazhdojë të qeverisë në mënyrë transparente, llogaridhënëse dhe me duar të pastra, i fokusuar në zhvillim ekonomik, ngritje të cilësisë së arsimit, shëndetësisë, ku qytetari në mënyrë aktive do të jetë pjesë e qeverisjes”, përfundon reagimi i Komunës së Skenderajt.