Ministri i Punëve të Brendshme, z. Ekrem Mustafa, ka pritur sot një delegacion të Projektit rajonal IPA 2017, të udhëhequr nga gjenerali Gennaro Capoluongo, udhëheqës i projekti: “Luftimi i krimeve serioze në Ballkanin Perëndimor”, që shoqërohej nga ambasadorit italian në Kosovë, z. Piero Cristoforo Sardi.
Ministri Mustafa pasi falënderoi delegacionin për mbështetjen konkrete Drejtorisë së Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar dhe Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Policisë së Kosovës, tha se MPB mbështet politikisht Policinë e Kosovës, në mënyrë që ajo të rrisë bashkëpunimin që parashihet përmes këtij projekti rajonal në luftimin e krimit të organizuar.
Udhëheqësi i projektit, gjenerali Gennaro Capoluongo, falënderoi ministrin Mustafa për gatishmërinë që edhe Policia e Kosovës të jetë ndër përfituesit, si të gjitha autoritetet policore të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe shtetasit e gjithë rajonit, të cilët do të përfitojnë për një ambient më të sigurt dhe të menaxhuar mirë.
Në kuadër të veprimtarisë së përgjithshme në mbështetje të shteteve të Ballkanit Perëndimor, Ministria e Punëve të Brendshme e Italisë – Departamenti i Sigurisë Publike ka nënshkruar një kontratë për të përforcuar bashkëpunimin mes forcave të policisë dhe autoriteteve tjera të zbatimit të ligjit, me qëllim që të krijohet një ambient i sigurt në gjithë rajonin dhe rrjedhimisht edhe në Bashkimin Evropian.
Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të përmirësojë sigurinë e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor dhe BE-së, duke luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin.