Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se nuk çuditet nëse Qeveria Kurti dhe lideri i saj Albin Kurti ndryshojnë qëndrim për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
“Befasia e madhe do të ishte sikur qeveria të mos e ndryshonte qëndrimin, sepse nëse ka diçka që e karakterizon Qeverinë Kurti dhe Albin Kurtin vetë si politikan dhe kryeministër është fakti që i ka ndryshuar të gjitha qëndrimet e tij, qoftë pas disa muajsh apo disa vitesh, dhe për këtë nuk habitem nëse ai ndryshon qëndrim. Duhet ta rikujtojmë momentin kur me aq pompozitet e ka kundërshtuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë ne kemi qenë të parët që e kemi mbështetur, por s’e kemi mbështetur më pas cirkun e tij në Kuvend përmes të cilit ai mundohej që të marrë siguri në rast se nuk do të mund të kontrollonte apo zbatonte vendimin e tij”.
Ai, në konferencën e sotme për media, ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të dalë para qytetarëve dhe të tregojë nëse do të lejojë që të mbahen zgjedhjet e 3 prillit edhe në Kosovë, ose jo.
“Ai ka përgjegjësi të qeverisë vendin dhe të njëjtën gjë e kemi thënë edhe atëherë. Qeveria duhet të marrë vendimin dhe ne do të jemi në mbështetje të vendimeve që e respektojnë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Le të dalin dhe le të flasin në mënyrën më të qartë, jo me ambiguitete dhe të na thonë se janë për paqe. Të gjithë jemi për paqe, nuk besoj që ka parti politike që s’është për paqe në Kosovë, por përgjegjësinë e qeverisjes dhe zbatimin e sovranitetit, para së gjithash, e ka qeveria e Kosovës dhe Albin Kurti si udhëheqës i saj.
“Albin Kurti duhet të dalë para qytetarëve, jo në momentet e fundit si herën e kaluar, dhe të tregojë se a do t’i lejojë Qeveria Kurti mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në komunat veriore të Kosovës, apo do të jetë konsistent në qëndrimin e tij se një gjë e tillë nuk lejohet. Deri tash ne kemi parë lëvizje nga qëndrimi në qëndrim dhe kjo ka qenë karakteristikë e kësaj qeverie, por presim që ta ketë përgjigjen e saktë. Qëndrimi i PDK-së mbetet pa ndryshime, ai që ka qenë gjatë gjithë kohës”.