Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se dje ndodhi maskarada politike në mes krizës dhe luftës me pandeminë globale.
“Mirëmëngjesi Kosova jonë, dje ndodhi maskarada politike në mes të krizës dhe luftës me pandeminë globale. Ashtu sikur e prezentova në fjalimin tim dje, sot Kosova u zgjua me lajmin për rrëzimin e Qeverisë në mes të pandemisë, në të gjitha mediat botërore”, ka shkruar Kusari-Lila, raporton KOHA.
Dje, Kusari-Lila gjatë fjalimit të saj në seancën ku votohej për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, tha se Parlamenti, zyrtarisht, do të hyjë në histori me veprimet e bëra.
“Fotografitë e sotme do të jenë në të gjitha mediat ndërkombëtare. I vetmi shtet në botë që mblidhet për mocion në kohë të koronavirusit. I vetmi vend sot që nuk tregon asnjë argument për veten si shtet”, tha dje ndër tjerash Kusari-Lila.
Sot, shkruan deputetja, “Jam e sigurt se historia do të gjykojë ata që e sollën këtë ditë, por gjithashtu kurrë më e sigurt nuk kam qenë se energjia dhe gatishmëria jonë për të vazhduar betejën për Kosovën shtet i zhvilluar dhe shtet i së drejtës nuk ka qenë më e madhe”.
“Dje ishte vetëm një betejë në numrin e gjatë të tyre që duhet të bëjmë për vendin tonë. Do të kemi edhe shumë tjera me fitore për Kosovën dhe njerëzit e saj. Të ❤️ Kosovë”, ka shkruar Kusari-Lila.