Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk e dëmtojnë vendin e as ndërtesën e Kuvendit. Duke shtuar se Qeveria Kurti nuk e ka përkeqësuar gjendjene veteranëve.
Sipas saj, pakënaqësitë e veteranëve janë akumuluar ndër vite.
Këto komente ajo i bëri pasi protesta e veteranëve ka eskaluar të hënën, para objektit të Qeverisë.
“Veteranët meritojnë trajtimin dinjitoz. Do të arrijmë deri të zgjidhja. Është një vit qeverisje, do të duhet edhe kohë edhe planifikim e rivlerësim të situatave dhe rrethanave. Situata me veteranët ekziston me shumë vite. Nuk është Qeveria Kurti që e ka përkeqësuar gjendjen, nuk ka krijuar pakënaqësi”, ka thënë Kusari-Lila.
Veteranët po kërkojnë që të përfshihen në rritjen e pagës minimale.
Ata thonë se po diskriminohen nga Qeveria e Kosovës.