Kuvendi i Kosovës ka reaguar pas transmetimit të fushatës së PDK-së që u bë nga faqja e vet zyrtare.
Kjo thotë se u bë nga “Ekonomia Online”, me të cilën kishte kontratë.
“Në vazhdën e reagimit dhe të kërkesës së kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, lidhur me çështjen e transmetimit të drejtpërdrejtë të një aktiviteti të Partisë Demokratike të Kosovës, në faqen zyrtare të Kuvendit në Facebook, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka ndërmarrë masat si në vijim: Iniciohet procedurë disiplinore për Menaxherin e Kontratës. Nga sot, datë 27 nëntor 2020, pezullohet kontrata e shfrytëzimit të shërbimeve nga operatori “Ekonomia Online”. Iniciohet kërkesa për kompensimin e dëmit të shkaktuar lidhur me integritetin institucional dhe imazhit të Kuvendit”, njofton Kuvendi.
Agjencia e lajmeve EkonomiaOnline, ka sqaruar se e ka lëshuar gabimisht fushatën zgjedhore të PDK-së në Podujevë në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.
Thotë se kur është bërë transmetimi me ‘crosspost’ i fushatës, gabimisht është etiketuar edhe faqja e Kuvendit.
“Ne bëjmë transmetime të tilla edhe për institucione e organizata të tjera, OJQ, kompani, parti politike etj, sikur që ishte rasti i transmetimit të konferencës përmbyllëse të fushatës së kandidatit të PDK-së për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës. Gjatë procesit të “crosspostingut” të kësaj ngjarjeje, është selektuar gabimisht dhe faqja e Kuvendit të Kosovës”, thuhet në reagim duke bërë edhe kërkimfalje.
“Redaksia e EO e merr përsipër këtë gabim teknik dhe është e gatshme të përballet me konsekuencat. Ne i kërkojmë falje publike Kuvendit të Kosovës nëse kjo ka ndikuar në prishjen e imazhit. Duam të theksojmë se ky ka qenë një gabim “njerëzor” dhe i paqëllimshëm. Dhe, duam të bëjmë të qartë se nuk bëhet fjalë për ndonjë “shkelje të autorizimeve”, sepse ne kemi transmetuar me dhjetëra ngjarje në muaj të Kuvendit të Kosovës”, thuhet tutje.