Në Odën e Farmacistëve të Kosovës është duke u zhvilluar një “luftë” për (mos)shkarkimin e kryetarit Arianit Jakupi. Gjyqi i Nderit e ka rrëzuar vendimin për shkarkimin e tij, derisa një grup i anëtarëve të Kuvendit ka iniciuar zgjedhjen e kryetarit të ri.
Arianit Jakupi ka publikuar sot një vendim të Gjyqit të Nderit të Odës së Farmacistëve të Kosovës, me anë të të cilit po pretendon se është rrëzuar vendimi i Kuvendit për shkarkimin e tij në janar të këtij viti, shkruan Gazeta Shneta.
“Sot kam pranuar vendimin nga Gjyqi i Nderit i cili ka aprovuar ankesën time në tërësi duke anuluar kështu si të jashtëligjshëm vendimin për mocionit të mosbesimit i cili ishte thirrur në shkelje statutare dhe ligjore. Dua të falenderoj të gjithë kolegët dhe miqtë që i kanë besuar punës time të drejtë por edhe të gjithë stukturës së OFK edhe nga mandati i kaluar por edhe në këtë mandat. Gjithashtu dua të falenderoj anëtarët e gjyqit të nderit për vendim të paanshëm dhe profesional lidhur me çështjen për të cilën kam bërë ankesën”, thuhet në një postim të Jakupit në faqen zyrtare të OFK-së në Facebook.
Por në anën tjetër 13 anëtarë të Kuvendit të OFK-së kanë iniciuar mbajtjen e mbledhjes së organit më të lartë në këtë organizatë, për të zgjedhur kryetarin e ri.
Në një email që ka siguruar Gazeta Shneta sekretari i OFK-së i ka njoftuar anëtarët e Kuvendit se mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit do të mbahet më 25 mars nga ora 13:00 në Prishtinë.
“Bazuar në statutin e OFK-së, Neni 23 pika 1, kërkojmë nga OFK-ja që të thërras kuvendin e jashtëzakonshëm të OFK me këtë rend dite: 1. Zgjedhja e kryetarit të komisionit qendror të Zgjedhjeve – KQZ; 2. Caktimi i datës për zgjedhjen e Kryetarit të Odës së Farmacistëve të Kosovës”, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga 13 anëtarë të Kuvendit.shneta