Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë në 144-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit se kjo ngjarje frymëzon të gjitha kohërat dhe përpjekjet e shqiptarëve për mbrojtje të identitetit.
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet një vepër e gjallë frymëzuese, për të gjitha kohërat, në përpjekjet e mëdha të shqiptarëve për mbrojtjen e identitetit dhe dinjitetit kombëtar, lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit, si dhe për zgjerimin e hapësirave tona të të drejtave, demokracisë, integrimit evropian dhe euro-atlantik”, ka shkruar Meta në Facebook.
Ai tha se vizioni i kësaj ngjarjeje rikujton rëndësinë e bashkimit rreth vlerave kombëtare dhe mbrojtjen e së ardhmes evropiane.
“Vizioni, aspiratat legjitime, fryma patriotike dhe ndjenjat më të larta të atdhedashurisë që evokon kjo ngjarje e rëndësishme dhe e paharruar historike na kujtojnë gjithmonë rëndësinë e bashkimit rreth vlerave kombëtare, fuqizimit dhe lartësimit të arritjeve të deritanishme të Shqipërisë, Kosovës dhe mbarë shqiptarëve në rajon, për të mbrojtur të ardhmen tonë evropiane nga çdo ide që synon përçarjen mes nesh, prapambetjen dhe shpopullimin e trojeve shqiptare”.