Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka paralajmëruar se një numër i madh i qytetarëve do të marrin pjesë në protestën e së shtunës, për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.
Molliqaj në një konferencë për media ka thënë se kjo do të bëjë që ZRRE të tërheq prapa rekomandimin të hënën e javës së ardhshme.
Kryetari i PSD-së theksoi se kërkesa e kësaj proteste është që propozimi i ZRRE-së të hidhet poshtë, teksa atë e ka cilësuar si propozim të Qeverisë së Kosovës.
“Kemi një propozim nga ZRRE-ja që nuk është i ZRRE-së por i Qeverisë, që është jo vetëm i papranueshëm dhe i padrejtë por ka shkaktuar edhe një irritim të paparë te qytetarët pasi është shumë i shtrenjtë. Kërkesa e kësaj proteste është që të hidhet poshtë ky propozim, sepse ky propozim në njërën anë i favorizon dhe i faktorizon ata të cilët kanë shumë ndërkaq i ndëshkon dhe u qet një barrë shumë të rëndë të tjerëve që janë shumica në këtë vend. Ftojmë secilin qytetarët partitë opozitare OJQ që ndan bindje të njëjta me ne sepse jemi tërësisht të bindur se numri i madh i protestuesve nesër, të hënën vendimin e ZRRE-së do ta kthejë mbrapa”, ka thënë Molliqaj.
Molliqaj ka paralajmëruar se nuk do të ndalen derisa ky vendim të mos jetë në fuqi.
I pyetur se a do t’i bashkohen protestës partitë opozitare parlamentare, Molliqaj ka thënë se ka zhvilluar takime me përfaqësues të këtyre partive dhe se vetëm kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka konfirmuar pjesëmarrjen, derisa PDK-ja e LDK-ja kanë deklaruar se pajtohen me kërkesat e tyre kundër propozimit të ZRRE-së. /