Braziliani Neymar është duke i kaluar momentet më të vështira të karrierës.
Sulmuesi i Paris Saint-Germainit ka nisur të vërshëllehet dhe të kontestohet nga tifozët e klubit francez pas paraqitjeve të zbehta.
Kjo e ka shtuar dyshimin se përfaqësuesi brazilian mund të largohet nga “Parku i Princave” në fund të sezonit, shkruan “Gazeta Expres”.
E për ish-futbollistin e Santosit dhe të Barcelonës ka folur selektori i Brazilit, Tite në prag të ndeshjes me Kilin.
“Realiteti është se klubi është ndryshe nga Kombëtarja. Disa lojtarë kanë probleme, por Neymar është mësuar të luajë nën presion. Nuk jemi të brengosur, por është një preokupim gjeneral. Janë disa gjëra mjaft ‘intime’ brenda dhomave të zhveshjes”, deklaroi trajneri brazilian.
Flitet se Neymar ishte fjalosur me portierin Giggi Donnarumma pas eliminimit nga Liga e Kampionëve prej Real Madridit.
Për Neymarin spekulohet se mund të përfundojë në Premierligë, ku e duan Manchester City e Newcastle United, ndërsa flitet se atë e pëlqen edhe ish-klubi i tij, Barcelona.