Artistja e fundit që po e vazhdon trendin e lansimit të hiteve muzikore në versionin akustik, është Nora Istrefi.
Këngëtarja shumë e dashur për publikun, i ka publikuar disa prej këngëve të saj më të pëlqyera të interpretuara live, e shoqëruar në këto video të realizuara thjeshtë dhe bukur, nga disa instrumentist, në mesin e së cilëve edhe Astrit Stafai, i cili e ka bërë aranzhmanin e këngëve.
Deri më tani në platformën muzikore YouTube janë publikuar shtatë hite të Nora Istrefit në versionin akustik, të cilat janë pritur mirë nga fansat e këngëtares. Në mesin e këtyre këngëve janë: “Anna”, “Bona gabime”, “Dy shokë”, “Asni gotë”, “Sa t’kom dashtë”, “Ajo të pëlqen” dhe “Pa fat” që vjen e interpretuar bashkë me yllin e muzikës zbavitëse, Sinan Vllasaliu.
Rëndësi të madhe në këtë projekt, këngëtarja duket t’i ketë kushtuar edhe pamjes. Në disa video Nora shfaqet e veshur me një kostum ngjyrë gjelbër të ndezur, me grim dhe stil flokësh mjaft glamuroz. Në disa klipe tjera këngëtarja vjen plot stil dhe elegancë, me një fustan të gjatë ngjyrë të kuqe. Në interpretimin e këngës “Asni gotë”, Nora shfaqet në stilin e një ylli të kinematografisë, e veshur me fustan të zi të kombinuar me një palë vathë të mëdhenj vezullues, dhe në performancën e përbashkët me Vllasaliun, këngëtarja shfaqet me një fustan të bardhë, flokë të kapura lartë dhe grim të thjeshtë që e komplimenton mjaft mirë bukurinë e saj.
Bashkëpunëtorët e Istrefit në realizimin e këtyre këngëve janë: Mixey që vjen në rolin e producentit të audios, Astrit Stafai që e ka bërë aranzhmanin e muzikës si dhe interpreton në kitarë dhe piano, Artan Ilyaz në kajon dhe Adorel Haxhiaj në violonçel.