Është mbajtur sot takimi inaugurues i Këshillit për Demokraci e të Drejta të Njeriut.
Pjesë e këtij këshilli, themeluar nga presidentja Vjosa Osmani, janë edhe kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryediplomatja Donika Gërvalla dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, përcjell klankosova.tv.
Në fjalën e saj të rastit, presidentja Osmani u shpreh se ky këshill, do të shërbejë si forum i lartë koordinues, në qëllim të përmbushjes së zotimeve të Kosovës në kuadër të Samitit për Demokraci, organizuar nga presidenti amerikan Joe Biden.
Po në këtë takim, presidentja Osmani para të pranishmëve, u shpreh se Kosova sot është shembull i një demokracie të mirëfilltë.
”Kosova sot është një shembull i një demokracie të mirëfilltë, por edhe një shembull i një vendi që vazhdimisht punon në nivelin e demokracisë, duke u fokusuar në interesat e qytetarëve të saj, si një partnere e besueshme në rrafshin rajonal dhe atë ndërkombëtar”.
”Demokracia është nën themelet e shoqërisë tonë, ajo është rrënjosur thellë në luftën tonë historike për liri dhe për të drejtat e njeriut”.
Megjithatë ajo u shpreh mes tjerash se jo të gjitha zotimet e bëra nga ky këshill, varen nga ta për t’u realizuar.