Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës Behgjet Pacolli, ka pritur në takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, ambasadoren, Chryssoula Aliferi, me të cilën thotë se diskutoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, marrëdhëniet midis dy vendeve dhe mundësitë e rritjes së tyre në kapacitete të plota.
Gjatë takimit, thuhet në kumtesën zyrtare nga MPJ, u konfirmua angazhimi dhe mbështetja e dy vendeve për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme bilaterale në aspektin politik dhe ekonomik.
Ministri Pacolli tha se Greqia është partner i rëndësishëm i Kosovës, si dhe fqinj rajonal i saj.
“Vlerësojmë mbështetjen që Greqia ka dhënë dhe po jep në ndërtimin e perspektives euroatlantike të Kosovës”, tha ministri Pacolli, duke rikonfirmuar se dy vendet trajtojnë reciprokisht relacionet me respekt dhe përkushtim të madh.
Në takim u diskutua edhe për projektet e reja bilaterale ndërmjet dy vendeve. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin e mirë të marrëdhënieve në mes dy shteteve, duke shprehur përkushtimin reciprok për intensifikimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.