Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit Matthew Palmer ka thënë sot në Beograd se Washington fton Serbinë e Kosovën ta vërejnë rastin historik dhe të arrijnë marrëveshjen në të cilën të dy palët të jenë fituese.
“Nëse njëri është fitues e tjerë humbës, atëherë askush nuk fiton”, ka thënë Palmer në Forumin e Beogradit për Siguri.
Sipas fjalëve të tij që i përcjell agjencia serbe e lajmeve beta, SHBA-ja nuk e shtyn dhe nuk përpiqet për asnjë rezultat të caktuar të dialogut ndërmjet Serbisë e Kosovës.
“Ne inkurajojmë palët ta gjejnë rrugën përpara dhe zgjidhjen e qëndrueshme dhe afatgjate që do ta pranonin të dy palët”, ka thënë ai.
Palmer ka theksuar se SHBA-ja është e gatshme të dëgjojë e të ndihmojë, por nuk mund të flasë për detajet, para së gjithash lidhur me këmbimet territoriale eventuale, sepse nuk është prezantuar asnjë plan.
Siç ka thënë, SHBA – ja kupton shqetësimin se këmbimi i mundshëm i territoreve mund të nxisë krizë në vende të tjera të rajonit, por edhe se konflikti i ngrirë është rrezik për stabilitetin rajonal.
Ai ka thënë se Serbia dhe Kosova kanë të ardhme evropiane dhe se ato duhet ndihmuar në këtë rrugë.