“Vjosa e nisi vitin e ri 2021 duke na vjedhur sloganin e 2004” është akuza që Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë Vjosa Osmanit, e cila të premten publikoi sloganin me të cilin synon t’i futet zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë.
Osmani të premten në Facebook postoi një fotografi ku shkruante “Guxo” e që ishte paralajmërimi për iniciativën qytetare me të cilën synon t’i futet zgjedhjeve pas largimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Megjithatë, kjo është cilësuar si “vjedhje” nga ana e PDK-së.
Betim Gjoshi nga kjo parti ka akuzuar Osmanin se ka vjedhur një slogan të PDK-së të vitit 2004.
“Nuk e prita që ditën e parë të vitit të ri të merrem me reagime politike. Por, ja që Vjosa Raif Osmani nuk të lë pa komentuar. Çdo ditë rrinë duke na sharë dhe në fund të fundit nuk arrijnë të nxjerrin as edhe një slogan të vetëm dhe origjinal. Në vitin 2019 LDK-ja na e mori (vjedhi 😛) sloganin tonë të 2004-tës. Me 1 janar 2021 Vjosa e vazhdoi traditën e ish-partisë. Kjo tregon se qysh PDK-ja i ka fjalët që i qëndrojnë viteve”, ka shkruar Gjoshi.
Në zgjedhjet e fundit, Osmani kishte kandiduar për kryeministre, nga radhët e LDK-së, me sloganin “Beso”. Lista e paralajmëruar nga Osmani së fundmi është lidhur me një koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.
Vendi hyn në zgjedhje të reja pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli të pavlefshme votën vendimtare të deputetit Etem Arifi për formimin e Qeverisë Hoti në qershor.