Policia e Kosovës në raportin 24-orësh ka njoftuar se të premten janë vjedhur disa pajisje mekanike në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë. Lidhur me këtë, Policia më vonë ka sqaruar rastin duke thënë se mjetet e vjedhura, kishin ardhur gabimisht në Aeroport nga një kompani private më 30 dhjetor të vitit të kaluar.
Policia njofton se të premten e 29 janarit, kjo pako nuk është gjetur në depo ku me ç’rast, kanë nisur hetimet në bashkëpunim me Doganën e Kosovës.
“Ndërsa tani, më 29.01.2021, policia është ftuar nga njësitet e doganës, për të hetuar rrethanat e mospranisë së dërgesës, e cila përmbante pajisje mekanike të radarëve civil, të cilat kanë qenë të paketuara e të cilat nuk gjendeshin në depo. Policia në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe në koordinim me prokurorin, kanë iniciuar rastin ‘vjedhje e rëndë’ të cilin janë duke e trajtuar dhe hetuar sipas kompetencave ligjore. Policia e Kosovës të gjitha veprimet hetimore do t’i ndërmerr në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së rastit”, thuhet tutje nga Policia.
Vjedhjen në fjalë, e ka mohuar Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, duke deklaruar se nuk është vjedhur asgjë në këtë institucion