Lista Serbe kishte qenë vendimtare në formimin e qeverisë “Haradinaj”, por qe një vit pas arrestimit të Marko Gjuriqit në veri ky subjekt politik nuk është pjesë e ekzekutivit, me ç’rast ka mbetur edhe pa ndikim politik në institucione. Deputetët e opozitës dhe analistët politikë thonë se votat e Listës Serbe për Qeverinë janë kompensuar me të deputetëve të PSD-së.
Analisti politik Ramush Tahiri konsideron që me gjithë bojkotin që Lista Serbe ua ka bërë deri tash institucioneve të Kosovës ajo vazhdon ta mbajë pozitën e njëjtë vetëm se në bërjen e numrave të Qeverisë është zëvendësuar nga Partia Socialdemokrate.
“Roli i Listës Serbe nuk ka rënë, por ka rënë roli i Qeverisë, sepse kjo ka mbetur Qeveri e pakicës. Mirëpo rolin e LS-së sa u përket numrave, jo politikës, e ka marrë shumë mirë Partia Socialdemokrate, sepse po ia siguron votat Qeverisë dhe kësisoj Qeveria nuk po mbetet në krizë, pavarësisht që është Qeveri e pakicës”, ka thënë Tahiri.
Tahiri u shpreh se bojkotimi i deritanishëm i Listës Serbe është veprim politik dhe se praktika të tilla të ngjashme ka pasur edhe më herët nga partitë politike serbe.
“Bojkotimi i Listës Serbe është funksional dhe e kanë bërë me vendim, nuk janë larguar prej Qeverisë, pagat dhe të gjitha të tjerat i marrin, por nuk po marrin pjesë dhe nuk po ia bëjnë votat Ramush Haradinajt. Është veprim politik dhe nuk e kanë bërë vetëm këtë herë, e kanë bërë edhe më herët dhe atyre po u jep rezultat në qëllimet e tyre politike dhe partiake”, potencoi ai./Zeri/