Mbase, të gjithë ata që kanë kryer shkollën fillore, këtu në Kosovë dhe kudo në Evropë dhe në Perëndim, e mbajnë në mend domethënien e Testit të Rorschach-ut, i cili njeh si autor të vetin psikologun zviceran Hermann Rorschach.
Është fare i thjeshtë, dhe synon të zbardhë, ta qet në dritë, karaktersitikat personale të dikujt që përballet me problemet emocionale (dhe jo vetëm me to).
Një njollë që është krijuar ashtuqë është paluar në një fletë të bardhë (pasiqë është hedhur një ngjyrë në te), duhet të interpretohet prej atij i cili i nënshtrohet këtij testi, duke dhënë përgjigje në pyetjen: Çfarë sheh ai individ në këtë njollë, apo, çfarë domethënie ka për te kjo figurë e krijuar në këtë mënyrë.
Në bazë të reagimit të tij, mund të fillohet me shpjegimin e gjendjes emocionale dhe mentale të një njeriu.
Edhe pse dikujt krahasimi me këtë test mund t’i duket si një teprim politik, duket që në javët e fundit, politika në Serbi (dhe jo vetëm ajo), i është nënshtruar, mbase, edhe pa dashje, një testi të Rorschach-ut, përmes një murali të vetëm që gjindet në një ndërtesë në Beograd, në të cilin është portretizuar Ratko Mlladiq, Gjenerali i Ushtrisë serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Ky portret lavdërues i këtij gjenerali, të dënuar si kriminel lufte në Tribunalin e Hagës për krime lufte (ICTY), ka ndarë në dysh politikën dhe shoqërinë serbe, është bërë temë debati i cili duket se nuk do të përfundojë së shpejti, teksa një ditë fshihet me ngjyrë të bardhë nga kundërshtarët e këtij murali, e ditën tjetër ribëhet sërish.
Sikurse një individ sipërfaqësohet me interpretimin e tij të një njolle/figure në Testin e Rorschach-ut, ashtu duket që ka dalë në shesh, përmes muralit të Mlladiqit, edhe gjendja e tanishme politike dhe shoqërore në Serbi.
Për më shumë, edhe një herë është kuptuar që politika në Serbi, duke nisur këtu nga vet Presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, i cili është një sundimtar thuaja i pakontestueshëm në këtë shtet, nuk ka vullnet, nuk ka fare dëshirë, nuk ka aspak gatishmëri që në mënyrën e duhur të merret me trashëgiminë tragjike të së kaluarës disa dhjetë-vjetëshe të saj, që është përgjegjëse për një mori luftërash në hapësirat e ish-RSFJ-së.
Preokupimi me të kaluarën politike është kusht pa të cilin nuk bën për secilin shtet, për secilin popull që aspiron të bëhet pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian dhe e Qytetërimit Perëndimor, në përgjithësi.
Nuk mund dot të diskutohet dhe të debatohet sërish, edhe një herë, pa marrë parasyshë rrethanat aktuale politike dhe shoqërore në një shtet që pretendon të hyjë në BE, për krimet që janë bërë në të kaluarën e afërt, apo, edhe për zhvillimet relevante politike dhe historike, për të cilat tashmë është dhënë fjala e fundit, apo Verdikti final nga adresat kryesore ndërkombëtare.
Nuk mundet këtu të vihet në dyshim ky Verdikt, në bazë të interesave aktuale të një politike, e cila ose i vë në dyshim, ose edhe i mohon fare ato (Verdikte).
Gjenerali Ratko Mlladiq është dënuar si kriminel lufte, me Aktgjykimin e plotfuqishëm në Hagë.
Në Srebrenicë është kryer gjenocidi në verën e vitit 1995 ndaj popullatës boshnjake. Edhe kjo është konstatuar në Tribunalin e Hagës.
Në Reçak janë vrarë civilët shqiptarë. Krimet e këtilla janë kryer anekënd Kosovës nga forcat serbe. Edhe ky është Verdikt i Tribunalit të Hagës, në raset e zyrtarëve më të lartë politik, ushtarak dhe policor të Serbisë.
Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë (ICJ), në korrikun e vitit 2010, është shpallur Qëndrimi i kësaj instance më të lartë të drejtësisë në Botë, sipas të të cilit del që shpallja e pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2008-të, nuk është në kundërshti me të Drejtën Ndërkombëtare.
Në të gjitha këto tema dhe shumë të tjera të cilat kanë kaluar testin e gjyqësisë ndërkombëtare, nuk mund më të debatohet thuajse ato nuk kanë ndodhur, thuajse ato nuk janë shpallur botërisht.
As në rastin e Gjeneralit Mlladiq, dhe as në shembujt e tjerë që u përmendën këtu, nuk kemi të bëjmë më me një përplasje politike në mes të popujve, apo në mes të shteteve të kësaj ane të Evropës, siç dëshirohet të pohohet dhe të theksohet në qarqet zyrtare të Beogradit.
Këtu nuk kemi të bëjmë me raportin e forcave në mes të Kosovës dhe Serbisë, në mes të Bosnjës dhe Serbisë, dhe as me mendimet, bindjet dhe përshtypjet e politikanëve, publicistëve, gazetarëve të kësaj apo asaj shoqërie, por për një Verdikt ligjor i cili tashmë ka marrë formë të prerë – një herë dhe përgjithmonë, pra.
E vërteta për të gjitha këto zhvillime politike dhe historike është punë e kryer.
Nuk ka forcë politike dhe ushtarake në Serbi që mund ta ndryshojë këtë të vërtetë.
Sjellja e pushtetit në Serbi ndaj këtyre të vërtetave, përfshirë këtu edhe ndaj një murali që është realisht fyerje për të gjitha viktimat e krimeve të bëra në luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë, nuk ka gjasa kurfare t’i mëdyshë ato, apo, t’i bëjë edhe një herë tema për debat.
Kjo qasje vetëm sa zbardhë një të vërtetë të rëndë për karakterin e pushtetit të sotëm në Serbi.