Spanja ka shënuar rritje të numrit të viktimave të reja të koronavirusit për periudhën 24-orëshe në krahasim me ditën paraprake. Në 24 orët e kaluara, në Spanjë kanë vdekur 619 persona, 109 më shumë se një ditë më parë.
Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 16,972. Spanja vazhdon të mbetet vendi i tretë në botë sa i përket numrit të të vdekurve pas Shteteve të Bashkuara dhe Italisë.
Qeveria spanjolle i dha këto shifra bashkë me njoftimin për kthimin në punë të miliona punëtorëve në sektorët e ndërtimtarisë dhe industrisë. Ata do të jenë të detyruar t’i respektojnë disa masa të rrepta gjatë kohës së punës.
Në mesin e punëtorëve që do të kthehen në punë janë ata që janë të angazhuar në siguri, telekomunikacion, dogana, energji elektrike dhe shpërndarje të ushqimit.
Sidoqoftë, restorantet do të kenë të drejtë vetëm të dërgojnë ushqim nëpër shtëpitë e klientëve, ndërsa festivalet, paradat dhe tubimet e tjera do të vazhdojnë të jenë të ndaluara.