Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ishte në ishullin indonezian të Balit të enjten duke u përgatitur për një takim të G20-ës që do të jetë takimi i tij i parë ballë për ballë me kritikët më të ashpër të pushtimit të Ukrainës nga vendi i tij.
Takimi i ministrave të jashtëm të G20-së do të zgjasë deri të premten në vendin pritës në Indonezi, i cili këtë vit është përballur me aktin e ashpër balancues të drejtimit të një samiti global të goditur nga presionet gjeopolitike dhe një krizë globale ushqimore për të cilën fajësohet lufta në Ukrainë.
Kishte masa të rrepta sigurie të enjten, derisa diplomatët e huaj zbritën në ishullin tropikal për një takim ku konflikti Rusi-Ukrainë do të jetë në qendër.
Ministrja e Jashtme australiane, Penny Wong, tha se vendi i saj dhe vendet me të njëjtin mendim do të përdorin takimin e G20 për të theksuar ndikimin e luftës.
“Ne do t’i bëjmë shumë të qarta kolektivisht pikëpamjet tona për pozicionin dhe sjelljen e Rusisë,” tha ajo.
Darka e mirëseardhjes e së enjtes do të jetë hera e parë që ministri i Jashtëm i Presidentit Vladimir Putin, Lavrov do të jetë nga afër me kundërshtarët më të zëshëm të pushtimit të Ukrainës, të cilin Moska e ka quajtur një “operacion special ushtarak”.
Lavrov planifikoi të takonte disa homologë të G20-ës në margjinat e samitit, njoftoi agjencia ruse e lajmeve TASS, por ministrat, duke përfshirë Annalena Baerbock të Gjermanisë dhe Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, kanë përjashtuar mundësinë e takimeve të veçanta me Lavrov.
Grupi i 20-së përfshin vendet perëndimore që kanë akuzuar Moskën për krime lufte në Ukrainë dhe kanë vendosur sanksione, por edhe vende si Kina, Indonezia, India dhe Afrika e Jugut që kanë qenë më të heshtura në përgjigjen e tyre, shkruan Reuters.