Presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur operacion ushtarak në rajonin Donbas të Ukrainës.
Ai e bëri të ditur këtë gjatë fjalimit të tij në televizion, në të njëjtën kohë kur OKB-ja po i kërkonte të ndalonte.
Ish-presidenti ukrainas: Putin është Hitleri i ditëve të sotme
Ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko ka thënë se sot është një ditë tragjike, por sipas tij Ukraina do të mbizotërojë.
Ai po fliste jashtë parlamentit, derisa deputetët mbanin bisedime për krizën në Kiev, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Poroshenko, i cili ishte në detyrë nga 2014 deri në vitin 2019, tha se Vladimir Putin është Hitleri i ditëve të sotme.
Britania e Madhe thotë se Rusia do të ketë sanksionet më të rënda ndonjëherë
Zëvendësministri i jashtëm i Britanisë së Madhe, James Cleverly, ka thënë se vendi i tij po përgatit një pako të koordinuar dhe të paprecedentë të sanksioneve.
Disa nga sanksionet do të nisin sot dhe të tjera do të vijnë ditëve në vijim.
“Këto sanksione do të jenë më të mëdhatë dhe më të rëndat që Rusia i ka parë ndonjëherë”, ka thënë ai për “Sky News”.
Cleverly tha për BBC-në se ukrainasit duhet ta dinë se Britania e Madhe qëndron përkrah tyre dhe se do të ofrojnë ndihmë direkte për Ukrainën në mbrojtje të vendit të tyre.
“Kjo është planifikuar prej kohësh nga Vladimir Putini. Ky është një pushtim dhe është krejtësisht i paprovokuar dhe i pajustifikuar”.
Kryeministri i Japonisë thotë se pushtimi i Rusisë “dridh themelet e rendit ndërkombëtar”
Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, e ka dënuar pushtimin e Ukrainës lindore nga Ruisa duke thënë se kjo “dridh themelet e rendit ndërkombëtar”.
“Ne fuqishëm kritikojmë veprimet e Rusisë dhe do të bashkëpunojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe komunitetin ndërkombëtar për t’u përgjigjur me shpejtësi”, i ka thënë Kishida gazetarëve.
Ai shtoi se Tokio do të vazhdojë të punojë me ministritë përkatëse për të garantuar sigurinë e shtetasve japonezë në Ukrainë.
Kur u pyet për sanksionet e mëtejshme kundër Moskës, kryeministri japonez tha se ai do të konsiderojë masa të tjera pas komunikimit me vendet e tjera të G7-ës dhe komunitetin ndërkombëtar.
Eksperti i sigurisë për situatën në Ukrainë: Putini nuk do të ndalet
Rusia ka nisur në orët e hershme të mëngjesit ofensivën ndaj Ukrainës.
Në Donetsk janë dëgjuar shpërthime, ndërsa po ashtu shpërthime janë dëgjuar edhe në kryeqendër të Ukrainës, Kiev.
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka folur për këtë situatë në një intervistë në Klan Kosova.
“Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e deri më sot, nuk kemi pasë një konflikt me intensitet të madh sa ky sot, që ka filluar në një territor kaq të madh dhe frika është këtu që involvohet Ukraina – si paradhomë e Evropës”.
Musliu ka thënë që siç e ka paralajmëruar edhe më herët, presidenti rus Putin nuk do të ndalet me kaq.
“Putini nuk do të ndalet këtu. Ai e ka synim që ta rikthejë gjithë territorin e dikurshëm të bllokut të Lindjes. Do të ketë impakt jo vetëm në Ballkan por në tërë botën”, tha ai.
08:35 – Shtatë të vdekur pas bombardimeve ruse, thotë policia ukrainase
Shtatë persona kanë vdekur nga bombardimet nga forcat ruse, thotë policia ukrainase..
Zyrtarët thonë se një sulm në një njësi ushtarake në Podilsk, jashtë Odessa vrau gjashtë persona dhe plagosi shtatë të tjerë.
19 persona raportohet se janë zhdukur.
Një person ka vdekur në qytetin e Mariupolit, shtuan ata, shkruan BBC.
Automjetet ushtarake ruse po hynë në Ukrainë nga Krimea
Automjetet ushtarake ruse kanë hyrë në Ukrainë përmes Krimesë, sipas një videoje të publikuar nga Roja Kufitare e Ukrainës.
Është e paqartë se nga cili vendkalim kufitar automjetet po hyjnë në Ukrainë – Chongar në lindje apo Kalanchak në perëndim.
Më herët këtë mëngjes, në një video që po transmetohej drejtpërdrejt nga kalimi kufitar i Bjellorusisë shihej një kolonë e trupave dhe automjeteve ushtarake që po hynin në Ukrainë.
Videoja është xhiruar rreth orës 6:48 të mëngjesit, sipas orës lokale, në vendkalimin midis Senkivka të Ukrainës dhe Veselovka të Bjellorusisë.
Roja Kufitare e Ukrainës tha për CNN në një deklaratë më herët se kufijtë e tyre u sulmuan nga Rusia dhe Bjellorusia “me përdorimin e artilerisë, pajisjeve të rënda dhe armëve të vogla”.
08:01 – Banorët kanë filluar të ikin nga kryeqyteti ukrainas
Pas situatës së krijuar në Ukrainë, njerëzit kanë filluar të ikin nga kryeqyteti ukrainas.
Gazetari i Guardian, Luke Harding në Kiev në një postim në Twitter tha se ka pak njerëz në rrugë.
Në rrugë ka kolona të mëdha makinash që bllokojnë autostradën, derisa njerëzit largohen nga qyteti.
Sipas gazetarit, dëshmitë e mediave sociale flasin për një ndjenjë paniku në rritje.
07:43 – Ministria e Jashtme e Ukrainës: Ky është një akt lufte
Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës e përshkroi veprimin ushtarak të Rusisë të enjten si një “akt lufte” në një deklaratë të postuar në Facebook.
“Ky është një akt lufte, një sulm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, një shkelje e rëndë e Statutit të OKB-së dhe normave dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”, tha zëdhënësi Oleg Nikolenko në deklaratë.
Nikolenko tha se trupat ruse kishin kryer sulme në qytetet “paqësore” të Ukrainës, në një ofensivë që synonte “të shkatërronte shtetin e Ukrainës, të kapte territorin ukrainas me forcë dhe të vendoste kontrollin okupues”.
“Ukraina po pretendon të drejtën e saj për vetëmbrojtje në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se ushtria ukrainase është e gatshme të “zmbrapsë agresorin dhe të mbrojë tokën ukrainase me të gjitha forcat e tyre”.
Nikolenko i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të “veprojë menjëherë”, duke kërkuar që të zbatohen sanksione të reja ndaj Rusisë dhe pajisje ushtarake për të mbështetur aftësitë mbrojtëse të Ukrainës.
“Jeta dhe siguria jo vetëm e qytetarëve ukrainas, por edhe nga siguria e qytetarëve të Evropës dhe e ardhmja e rendit botëror varet nga përgjigja jonë e bashkuar”, tha ai, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.
“Ukrainasit janë të shokuar”
Korrespondentja e BBC-së për Evropën Lindore, Sarah Rainsford, duke raportuar nga qyteti i Kramatorsk në rajonin Donbas të Ukrainës, thotë se banorët janë “të shokuar dhe të tmerruar kur imagjinojnë se çfarë mund të ndodhë”
Ajo thotë se situata në zonë është “plotësisht e paqartë”.
“Njerëzit dolën në rrugë mbrëmë në këtë qytet, ata valëvitnin flamurin ukrainas. Ata thanë se kjo ishte toka e tyre. Ata nuk do të shkonin askund. Kjo është ajo që njerëzit kanë pritur, por askush këtu nuk mund ta besojë se po ndodh në të vërtetë”, tha ajo, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Ukraina bën thirrje për ‘sanksione shkatërruese’ ndaj Rusisë
Dmytro Kuleba, ministri i jashtëm i Ukrainës, ka postuar në Twitter një “listë për të bërë” për komunitetin ndërkombëtar në përgjigje të sulmit të Rusisë.
Ai thotë se “bota duhet të veprojë menjëherë” dhe “e ardhmja e Evropës dhe e botës është në rrezik”.
Kuleba bën thirrje për “sanksione shkatërruese” të menjëhershme, duke përfshirë ndalimin e Rusisë nga përdorimi i sistemit të transaksioneve financiare SWIFT.
Ai gjithashtu thotë se bota duhet “të izolojë plotësisht Rusinë”, duke i ofruar Ukrainës armë dhe pajisje, ndihmë financiare dhe ndihmë humanitare, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
07:23 – Ushtria ukrainase thotë se ia rrëzoi Rusisë pesë aeroplanë luftarakë dhe një helikopter
Ushtria e Ukrainës ka njoftuar se ka rrëzuar pesë aeroplanë luftarakë të ushtrisë ruse dhe një helikopter.
Njoftimi u bë në kohën kur forcat ushtarake të Rusisë kanë filluar sulmet mbi Ukrainën.
Deri më tani nga sulmet nuk është raportuar për ndonjë viktimë.
Presidenti i Ukrainës e konfirmon: Rusia ka nisur sulme ajrore
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka konfirmuar se kishte sulme ajrore në Ukrainë.
Ai thotë se Rusia ka kryer sulme në infrastrukturën e Ukrainës dhe mbi rojet kufitare, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
“Të dashur qytetarë ukrainas, sot në mëngjes presidenti Putin njoftoi për një operacion special ushtarak në Donbas. Rusia kreu sulme në infrastrukturën tonë ushtarake dhe rojet tona kufitare. Në shumë qytete të Ukrainës u dëgjuan shpërthime. Ne do të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë territorin e vendit tonë”,ka thënë Zelensky.
“Sot secili prej jush duhet të ruajë qetësinë. Qëndroni në shtëpi nëse mundeni, jemi duke punuar. Ushtria po punon. I gjithë sektori i mbrojtjes dhe sigurisë është duke punuar”.
“Asnjë panik, ne jemi të fortë. Ne jemi gati për gjithçka. Ne do të fitojmë mbi të gjithë, sepse ne jemi Ukraina”.
Trupat ruse zbarkojnë në Odessa
Anton Gerashchenko, këshilltar i ministrit të Brendshëm të Ukainës ka bërë të ditur se trupat ushtarake ruse kanë zbarkuar në qytetin e Odessas.
Gerashchenko tha se ata tani po e kalojnë kufirin në Kharkiv.
Ai theksoi se ka pasur sulme me raketa në Aeroportin Vasilkovsky pranë Kievit.
Këshilltari i ministrit të Brendshëm shtoi se kryebashkiaku i qytetit të Dnipros, Borys Filatov, e kishte njoftuar se kishte dëgjuar shpërthime.
Anton Gerashchenko, këto njoftime i ka bër1% në një komunikim zyrtarë me gazetarë në grupin Whats App.
Biden: Bota do të kërkojë llogari nga Rusia
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e quan sulm të pajustifikuar vendimin e homologut rus, Vladimir Putin, për shpalljen e operacionit ushtarak në rajonin Donbas të Ukrainës.
Ai thotë se “lutjet e gjithë botës janë me popullin e Ukrainës”.
“Presidenti Putin ka zgjedhur një luftë të paramenduar që do të sjellë humbje katastrofike të jetës dhe vuajtje njerëzore”, ka thënë Biden.
“Vetëm Rusia është përgjegjëse për vdekjen dhe shkatërrimin që do të sjellë ky sulm, Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët e saj do të përgjigjen në një formë të bashkuar dhe vendimtare. Bota do të kërkojë llogari nga Rusia”, shkruan BBC.
Biden thotë se do të ketë një “përgjigje të fortë dhe të bashkuar” nga anëtarët e NATO-s ndaj çdo agresioni që bëhet kundër aleatë të saj.
Putin: Drejtësia dhe e vërteta janë në anën e Rusisë
Presidenti rus Vladimir Putin, ka thënë se “drejtësia dhe e vërteta” janë në anën ruse, duke paralajmëruar se përgjigja e Moskës do të jetë “e menjëhershme” nëse dikush përpiqet të përballet me Rusinë.
Ai thotë gjithashtu se veprimet e vendit të tij janë vetëmbrojtje dhe i thotë ushtrisë së Ukrainës se baballarët dhe gjyshërit e tyre nuk luftuan që të mund të ndihmonin neonazistët, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.