Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës, kanë ndaluar edhe dy persona të dyshuar, lidhur me rastin ‘’Karaçeva’’.
Nga fillimi i këtij aksioni të përbashkët numri i personave të ndaluar ka shkuar në 63, thuhet në kumtesë.
“I dyshuari B.A., dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka blerë gjedhe, për të cilat ka pasur dijeni se janë të kontrabanduara”.
“Ndërsa, i dyshuari SH.I., dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’, pasi në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka organizuar lojëra të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj”.
Ndaj dy të dyshuarve është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.