Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës shpreh shqetësimin se pacientëve të shtrirë në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk po u mundësohet të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
ShSKUK-ja përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka dorëzuar me kohë në KQZ të gjitha listat me pacientët e shtrirë në klinika dhe spitale, duke paralajmëruar KQZ-në, se shumë nga pacientët do të lirohen deri në ditën e zgjedhjeve dhe do hospitalizohen pacientë të tjerë.
ShSKUK-ja kërkon nga KQZ-ja që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të mundësuar votimin e pacientëve të shtrirë në klinika dhe spitalet e përgjithshme, po ashtu ta mundësojë edhe votimin e stafit shëndetësor që sot janë në vendet e tyre të punës.
Gjinekologia Pranvera Zejnullahu Raci ka bërë të ditur përmes një statusi në facebook se KQZ-ja nuk i ka përditësuar të dhënat e pacientëve të shtrirë në spitalet e QKUK-së duke ua pamundësuar kështu shumë pacienteve që tashmë gjinden të shtrira që të votojnë.
Po ashtu, Raci ka bërë të ditur se votimi i është pamundësuar edhe stafit të QKUK-së pasi nuk ishin në lista duke e pasur të pamundur të votojnë edhe me kusht.