Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë punëtorisë së organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, tha se qeveria e tij do të punojë në rritjen e pagës minimale në sektorin privat.
“Është absurde që paga minimale në sektorin publik të jetë mbi 500 euro, ku në pesë vitet e fundit ajo është rritur për 100 euro. Kjo rritje nuk ka ndodhur as për 15 euro në sektorin privat. Shteti duhet të ndihmojë këtu sepse kjo nuk mund të jetë në rregull dhe nuk mund të ketë pagë nën 350 euro”, tha kryeministri Kurti.
Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës mirëpriti deklaratën e kryeministrit të Kosovës. Përmes një komunikate për medie kjo sindikatë i bën me dije kryeministrit Kurti, se ka qenë kërkesë e kamotshme e tyre.
“Andaj kërkojmë që kjo pagë të realizohet sa më shpejt e cila ndikon në ndaljen e fuqisë punëtore për të mos ikur jashtë vendi. Shpresojmë në deklarimet gjatë fushatës elektorale dhe tani si kryeministër të jetësoni këtë rritje që qeveritë tjera që nga 2011 nuk bën asgjë për këta punëtorë”, thuhet në komunikatën për medie.