Sërish opozita e bashkuar do të organizojë ditën e sotme, në orën 18:30, një tjetër protestë kombëtare.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, kryedemokrati Lulzim Basha konfirmoi protestën e sotme, teksa deklaroi se arsyeja pse forca politike që drejton organizon protesta nuk është lufta për pushtet, por për një betejë për transformim total të vendit.
Ndërkohë, pas fjalës së tij, selia blu shpërndau në rrjetet sociale edhe spotin e kësaj proteste.
“Asgjë nuk i ndal shqiptarët që luftojnë për liri, për standardet europiane. Shpresa është ndezur! Pushteti i krimit nuk e fik dot më, sot jemi më të fortë se kurrë. Asnjë hap pas kundër krimit kundër dhunës për Shqipërinë si gjithë europa.”-shkruhet në spotin e publikuar, duke i drejtuar në këtë mënyrë një mesazh qytetarëve që të jenë sot të pranishëm.
Kujtojmë se kjo është protesta e pestë kombëtare, e cila vjen pas asaj të shtunës që u shoqërua me përplasje të shumta mes policisë dhe protestuesve.