“Duam punë’, “Mos na detyroni ta lëshojmë vendin”, “Vendosni specialistët para politikës”, dhe “Ku janë premtimet”, ishin disa nga mesazhet, që specialistët stomatologë të papunë, kanë vendosur para Qeverisë së Kosovës. Stomatologët e papunë, të cilët protestuan sot thanë se kërkesë e vetme e tyre, është që të bëhet një zgjidhje rreth sistemimit të gjithë specialistëve të papunë në sistemin publik shëndetësor, raporton Informatat.com.
Përfaqësuesja e specialistëve të stomatologjisë, Mirjeta Berisha, tha se aktualisht janë mbi 120 specialistë stomatologë të papunë dhe se numri i tyre çdo ditë po rritet.
“Ne kemi pasur disa takime me ministrin Ismaili dhe jemi dakorduar, se do të punohet rreth këtij problemi. Mirëpo ende nuk kemi një përgjigje konkrete. Kërkojmë një përgjigje. Kërkojmë që ta përkrahin në këtë aspekt ministrin Ismaili, sepse ai ka nevojë që edhe të tjerët ta përkrahin, që të bëhet një zgjidhje, për gjithë këta specialistë të papunë. Janë më shumë se 120 specialist që janë aktualisht të papunë. Por numri po rritet çdo ditë e më tepër. Ndahen specializimet e panevojshme, kurse stafi profesionist, janë të pa inkuadruar në sistemin publik”, tha ajo.
Stomatologët e papunë, kërkojnë të paktën të dinë një afat se kur pritet të bëhet zgjidhje për ta dhe se ata janë në gjendje të presin, afatin i cili u caktohet.
“Ne kërkojmë një afat që të dihet. Presim një afat. Ne kemi pritur 2 vite e gjysmë dhe presin prapë. Nëse vetëm një sinjal na ipet se do të ketë një zgjidhje. Kërkojmë një afat të caktuar, ne jemi në gjendje të presim. Nëse s’ka ndonjë rezultat, ne do të vazhdojmë me protesta. Ka zgjidhje por duhet bashkëpunim i të gjithë akterëve. Ministri ka vullnet të jashtëzakonshëm që të bëhet një zgjidhje. Mirëpo duhet dhe përkrahje nga komuna, nga kryetaret e komunave, sepse duhet një bashkëpunim i të gjithëve që të bëhet një zgjidhje”, ka thënë ajo.
Berisha tha se kanë] dërguar një kërkesë për takim me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, por ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje./Informatat.com/