Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, vendimin e ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike e ka quajtur të papërballueshëm për qytetarët e Kosovës.
Ndërsa, lidhur me mospërfshirjen e pjesës veriore në bllok tarifat e reja, ai tha se kryeministri Albin Kurti ka një agjendë për veriun për zgjerim të një autonomie në atë pjesë të Kosovës.
Deputeti i PDK-së arsyetimin e ZReE-së për mosrritjen e çmimit të rrymës për pjesën veriore e ka quajtur politik.
“ZRrE, si organ që duhet të jetë i pavarur dhe jo politik, jep arsyetime politike se pse nuk mund të përfshihet veriu në shtrenjtim të energjisë elektrike. Pra, nga ai organi profesional tash na del me arsyetime politike që aty ekziston një problem politik dhe ne normalisht që nuk mundemi me vendos në kuadër të shtrenjtimit të energjisë elektrike”.
“Fatkeqësisht Qeveria Kurti dhe Albin Kurti është duke e trajtuar në mënyrë të veçantë veriun dhe unë mendoj se tani po shihet që Albin Kurti ka një agjendë për veriun, pra këtu kemi të bëjmë pikërisht me zgjerimin e një autonomie me angazhimin e kësaj qeverie që këta njerëz ta kenë një autonomi pikërisht në atë pjesë të vendit. Kjo është e dëmshme dhe unë besoj që kjo është pikërisht arsyeja pse Albin Kurti nuk guxon të marrë pjesë në seancë sepse nuk ka arsyetim pikërisht për veriun”.
Tahiri ka ftuar Qeverinë e Kosovës që ta shkarkojë bordin aktual të ZRrE-së dhe ta anulojë vendimin për rritje të çmimit të rrymës.
“Vendimi i ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike për 100% është i papranueshëm për ne si deputetë të opozitës dhe çdo qytetar në vendin tonë. Pagat në Republikën e Kosovës si në sektorin privat ashtu edhe publik janë të papërballueshme për koston të cilën kemi arritur në këtë nivel. Janë shtrenjtuar çmimet e karburanteve, është shtrenjtuar secili produkt esencial ushqimor në vendin tonë, sot shtrenjtimi i energjisë elektrike shkakton edhe një zinxhir të shtrenjtimeve në gastronomi dhe sektorë të tjerë dhe realisht në këtë situatë çfarë jemi, e kemi të papërballueshme koston mujore pothuajse për secilën familje në vendin tonë”.