Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri në konferencë para gazetarëve ka shprehur edhe njëherë kërkesën e AAK ndaj qeverisë për procedimin në Kuvend të Ligjit të Pagave.
“Arsimi ka qenë shtylla e vetme e cila ka ruajtur dhe lartësuar ndjenjën se një ditë do ta gëzojmë shtetin e pavarur dhe besimin në një të nesërme më të mirë. Kjo kategori e çmuar e shoqërisë nuk duhet të neglizhohet, shteti duhet ta ruajë dinjitetin e tyre”, është shprehur Tahiri.
“Sot, janë afër 24 mijë mësimdhënës parauniversitar me pagë mesatare prej 470 euro, të cilët presin implementimin e Ligjit të Pagave”, ka thënë ai. Tahiri është shprehur se seancat e sotme “formale nuk zgjidhin problemet e mësimdhënësve”.
Sipas tij, kryeministri Kurti do të duhej që sot t’i komunikojë atyre datën se kur do t’i marrin pagat me rritje.
“Kryeministri gjatë seancës së sotme duhet që t’i komunikojë mësimdhënësve datën se kur do t’i marrin pagat me rritje. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë kjo seancë solemne është vetëm një mashtrim i radhës ndaj kësaj kategorie dhe kategorive tjera që përfitojnë nga implementimi i Ligjit të Pagave”, përfundoi Tahiri.