Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, e ka përmendur sërish çështjen e gazit në Kuvend.
Ai iu drejtua Qeverisë, duke u thënë se do të mbajnë përgjegjësi për refuzimin e këtij projekti.
“Këtë projekt e keni refuzuar, është mirë t’ua bëni me dije qytetarëve se ShBA-të janë tërhequr nga financimi i këtij projekti sepse vulën e refuzimit ia keni dhënë ju. Mundeni me vazhdu me studimin e fizibilitetit, por përkrahjen nga ShBA-të nuk e keni. Ju do të mbani përgjegjësi që e keni refuzuar një projekt kaq të rëndësishëm”, tha Tahiri.
Ndërkohë, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli i ka replikuar Tahirit, duke thënë se fondet nuk janë humbur dhe janë duke u shfrytëzuar.
“Çështja e gazit është sqaruar me dhjetëra herë nga unë. Studimi i fizibilitetit është duke u bërë. Do të financohet nëse del që është opsion i mirë dhe më i lirë për ne. Fondet nuk janë humbur, janë duke u shfrytëzuar”.